Aktivitetet e PD-së, Berisha nxjerr shifrat e monitorimit të mediave: Raport i pabarabartë me Qeverinë, opozita censurohet

25/05/2026 15:36

Pak ditë pasi kryeministri Rama nxori disa të dhëna, sipas të cilave, opozita ka një pasqyrim më të madh në mediat kombëtare dhe lokale në krahasim me qeverinë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nxori shifrat e tij.

Sipas liderit të opozitës, televizionet kombëtare transmetojnë disa fish më shumë aktivitetet e qeverisë në krahasim me ato të PD-së.

Berisha iu referua monitorimit të edicioneve të lajmeve mes data 13 dhe 24 maj duke thënë se opozita është censuruar, ndërsa lajmet e qeverisë janë transmetuar disa fish më shumë.

“Urdhëro Tv Klan. Qeveria 8 minuta e 56 sekonda në edicionin e lajmeve të orës 15.30. Ja ku e keni përmbledhjen. 18 minuta dhe 52 sekonda i jep këtë ditë qeverisë dhe 3 minuta e 40 sekonda i jep opozitës. Urrejtje e turpshme, shërbim i turpshëm ndaj narko-diktaturës, ndaj narko-qeverisë. Përdhosje e të gjitha parimeve dhe informacionit dhe të qëndrimit korrekt në hapësirën informative”, deklaroi Berisha.

“Vizion Plus, më dorëlëshuar pak. Ky është më periferik. Vizion Plus është televizion pro-opozitar, pasi qeverisë i ka dhënë 4 minuta e 40 sekonda, opozitës 2 minuta e 7 sekonda. Pra ky të themi sado që i ka dhënë qeverisë dyfishin, por jo dhjetëfishin si dy të parët”.

“Shikoni turpin e turpshëm. Televizioni shtetëror, Eni Vasili, e cila në vend që të mbajë disa standarde më profesionale, në vend që të mbajë parasysh se ajo rroga e saj del nga paratë e taksapaguesve jo vetëm socialistë apo të partisë së krimit, por edhe demokratë e pa parti, me dorë të hekurt, qeverisë i jep 10 minuta e 15 sekonda, opozitës 1 minutë e 35 sekonda”.

Prej disa ditësh, lideri i opozitës ka kritikuar mediat, kryesisht ato kombëtare për mospasqyrim të aktiveteteve të forcës politike që ai drejton, ndërkohë që sot doli në publik me shifra, duke përfshirë edhe ditët kur as ai vetë nuk ka pasur aktivitet publik dhe në pasqyrimet e ofruara rezultonte se PD-ja nuk është transmetuar në asnjë moment në edicionet e lajmeve.

Top Channel