Emri/ Dyshohet se i vuri zjarrin tregut të fruta-perimeve në Lushnjë, në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim Në Lagjen Sheq i Madh të Fierit, 35-vjeçari Saimir Jakuza po përballet çdo ditë me një betejë të vështirë për jetën.
I diagnostikuar katër vite më parë me sëmundjen e sklerozës multiple, gjendja e tij shëndetësore është rënduar vazhdimisht, duke ia bërë thuajse të pamundur ecjen dhe kryerjen e aktiviteteve më të thjeshta të përditshme. Pas shumë kontrolleve dhe trajtimeve në spital, Saimiri vijon të humbasë aftësinë për të lëvizur normalisht. Në raportet mjekësore përcaktohet qartë se ai nuk është në gjendje të kryejë asnjë lloj pune, megjithatë ndihma ekonomike që përfiton është vetëm 5 mijë lekë në muaj, shumë që sipas tij nuk mjafton as për blerjen e medikamenteve.
Në gjendje të rënduar fizike dhe emocionale, ai shprehet se ka nevojë të vazhdueshme për kujdes, pasi nuk mund të ecë i vetëm dhe shpesh herë është rrëzuar duke pësuar dëmtime në trup.
“Jam në gjendje shumë të rëndë. Nuk mund të eci dot dhe as të punoj. Me 5 mijë lekë në muaj nuk blej dot ilaçet. Me çfarë do ushqehem? Kam nevojë për kujdestari. Babai im është i sëmurë nga zemra, ndërsa e vetmja shpresë në familje është nëna, e cila punon ku të mundet për të siguruar pak të ardhura”, thotë Saimiri.
Edhe familjarët tregojnë se sëmundja e Saimirit është e pashërueshme dhe kërkon trajtim të vazhdueshëm, kujdes të përhershëm dhe mbështetje më të madhe ekonomike. Sipas të atit, djali nuk mund të lëvizë i vetëm dhe ka nevojë për një KEMP të plotë për të përballuar shpenzimet e ilaçeve dhe kushtet minimale të jetesës. Familja Jakuza jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, në një banesë të amortizuar dhe me të ardhura minimale. Në këto rrethana, ata i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të verifikojnë dhe rivlerësojnë rastin e 35-vjeçarit, në mënyrë që ai të marrë mbështetjen që i nevojitet për të jetuar me dinjitet.
Top Channel