Manipulim me 242 mijë vota, në Kosovë do ndryshojnë rregullat pas parregullsive në zgjedhje. 10% rinumërim

23/05/2026 14:25

Mbi 242 mijë vota të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit u manipuluan nga komisionerët komunal, dukuri kjo që komprometoi gjithë procesin e numërimit të votave.

Derisa po kryhen akoma hetime, Kosova po përgatitet edhe për një proces tjetër zgjedhor që zhvillohet më 7 qershor. Për të evituar përsëritjen e një manipulimi të tillë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar rregulloren me të cilin shtohet kontrolli në numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit.

Me qëllim të shtimit të kontrollit ndaj procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe në mënyrë që të shtohet besueshmëria e qytetarëve në procesin zgjedhor, KQZ-ja e ka parë të udhës të vendosë këtë mekanizëm të kontrollit të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve politike”, deklaroi Valmir Elezi, zëdhënës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas këtij ndryshimi, do të rinumërohen 10% e vendvotimeve në nivel vendi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraparë rinumërimin deri në 10% të vendvotimeve të cilat paraprakisht numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit, ky rinumërim do të bëhet Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, shtoi Elezi.

Së paku 700 persona u intervistuan për manipulimin me votat nga zgjedhjet e shkuara, ndërkohë që vetëm katër janë të akuzuar për falsifikim të rezultatit zgjedhor. Megjithatë, ekziston rreziku që të njëjtët persona që janë përfshirë në këtë manipulim, të mund të angazhohen në procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të ardhshme. Kjo vjen për shkak se rregullorja e re nuk ua ndalon përfshirjen në proces personave që janë nën hetime, por vetëm atyre që janë të dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Brenda një viti e gjysmë, Kosova më 7 qershor mban procesin e tretë të zgjedhjeve parlamentare.

Top Channel