“Vetëm vëllau i tij shkoi ta takonte”/ Ministri shqiptar në qeverinë e RMV në krah të ambasadorit Meidani: Do kërkojnë me qiri, por…

21/05/2026 16:04

Fatmir Limani ka dalë hapur në mbrojtje të ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, pas sulmeve dhe distancimeve politike që u bënë ndaj qëndrimeve të tij lidhur me protestat studentore shqiptare.

Përmes një postimi simbolik me titullin “Vëllau”, Limani përdor një tregim metaforik për të përshkruar situatën politike aktuale, duke nënvizuar se “vëllau i mirë të mbron edhe kur gabon e lere kur s’ke asnjë faj”. Mesazhi shihet qartë si mbështetje për Meidanin dhe kritikë ndaj atyre që sipas tij po e sulmojnë ose po e braktisin ambasadorin për interesat politike.

“Ishte bërë i ashpër dhe i pa’arsyeshëm në qëndrime… Të gjithë kundërshtarët e dënuan: ‘Nuk meriton mëshirë…!’ Vetëm vëllau i tij shkoi ta takonte”, shkruan Limani.

Në fund të postimit, ai lëshon edhe një thumb të drejtpërdrejtë politik ndaj koalicionit VLEN:

“U ka hyrë sherri në mes…, do kërkojnë me qiri (ditën), por s’do gjejnë ‘argat’ sikurse….”

Postimi vjen në një moment kur në kampin shqiptar në pushtet po rriten tensionet lidhur me protestat studentore dhe reagimet ndaj përfshirjes morale dhe publike të ambasadorit shqiptar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup.

Top Channel