I rrëmbeu armën policit dhe e qëlloi në kofshë, Gjykata e Beratit lë në burg 45-vjeçarin Zamir Skënderi

21/05/2026 12:20

Gjykata e Beratit la sot në burg 45-vjeçarin Zamir Skënderi që plagosi policin Arsen Toska.

Nën masa të rrepta sigurie u shoqërua drejt sallës së gjyqit që u mbajt me dyer të mbyllura, 45-vjeçari që pak ditë më parë qëlloi me armë ndaj policit që po e shoqëronte në komisarit dhe tentoi të arratisej.

Akuzës së parë të tip për prodhim dhe shitje narkotikësh, iu shtua sot në gjyq edhe ajo për veprën penale “Vrasja me dashje e Punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”. Pala mbrojtëse e justifikoi veprimin e tij me gjendjen e rënduar psikologjike dhe nën efektin e drogës, ndërsa 45 vjeçari në dëshminë e tij shprehu pendesë duke deklaruar se “nuk mban mend se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur.”

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 18 majit në dalje të fshatit Kutalli të bashkisë Dimal. Zamir Skënderi kërkohej nga Kuçova, por arrestimi i tij u bë në Fier dhe duhej transportuar. Gjatë lëvizjes me automjetin e policisë në aksin Fier–Kutalli, 45-vjeçari i ka marrë armën e shërbimit në brez efektivit të policisë që e shoqëronte, Arsen Toska, 20 vjeç, në pjesën e pasme të mjetit dhe ka qëlluar 1 herë në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në kofshë.

Pas ngjarjes, ai ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar dhe arrestuar nga efektivët që ndodheshin në mjetin tjetër të policisë.

 

Top Channel