Kur Voja u rrah egërsisht në një rrugë të Beogradit dhe u tërhoq zvarrë drejt një makine që po priste me motorin ndezur, aktivisti i ri mendoi se do të vdiste.

Pas një tmerri që zgjati me orë të tëra, sulmuesit e lanë të lirë të dërrmuar e  përgjakur. “Kisha frikë për jetën time. Nuk kisha as idenë më të vogël se çfarë kishin ata ndërmend të bënin me mua” tha për AFP-në Voja, që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij.

Incidenti i ndodhur në 29 prill konsiderohet vetëm një nga rastet e një modeli në rritje dhune kundër njerëzve të lidhur me valën afatgjatë të protestave në Serbi. Ajo që ndryshonte këtë herë, sipas aktivistit, ishte fakti që agresorët e tij nuk kishin tentuar të fshihnin fytyrat e tyre, dhe sipas gjasave, kishin zbritur nga një furgon që mbante të afishuar sloganin e fushatës së partisë në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Vëzhgues të Këshillit të Europës kanë përmendur gjithashtu praninë “kërcënuese” të disa personave, mes të cilëve kishte edhe të maskuar, pranë qendrave të votimit gjatë zgjedhjeve lokale që u shoqëruan me dhunë më herët këtë vit. Predrag Petrović, drejtor kërkimesh në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se lidhjet mes këtyre grupeve, të njohura lokalisht si huliganë, dhe Partisë Progresive Serbe SNS të Vuçiç, janë të thella.

Ideja është që ke një grup të organizuar njerëzish të gatshëm për dhunë, dhe këtu flas për dhunë rruge, dhe i do ata në anën tënde,” theksoi ai për Euractiv. Sipas Petrović, ekzistenca pranë parlamentit e një kampi pro-qeveritar, pjesë e të cilit thuhet të jenë edhe kriminelë të njohur, është tregues i qartë i lidhjeve të tyre me qeverinë.

Liderët huliganë donin të ishin prezentë aty për t`i përcjellë të tjerëve mesazhin se cila ishte pala e duhur,” ndërsa policia e mbyll njërin sy, pohon eksperti. Verën e kaluar, presidenti fali katër persona të lidhur me SNS, të akuzuar për rrahjen e studentëve dhe thyerjen e nofullës së një gruaje në Novi Sad.

Vuçiç gjithashtu ka vizituar disa herë ata që i quajti “mbrojtësit e Serbisë” në kampin pro-qeveritar dhe është mburrur në një podcast të fundit se është “pjesërisht një huligan futbolli”.

 

Top Channel