Një fluturim i Air France nga Parisi për në Detroit u devijua në Montreal, Kanada, më 20 maj, pasi një pasagjer dyshohej se kishte qenë i ekspozuar ndaj virusit Ebola.
Autoritetet amerikane kërkuan devijimin e aeroplanit, duke mos lejuar uljen në Detroit për shkak të kufizimeve të hyrjes për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit.
Sipas Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së (CBP), pasagjeri kishte hipur “gabimisht” në avion, pasi kishte udhëtuar së fundmi në Afrikën Lindore, një zonë e prekur nga shpërthimi i Ebola-s. Avioni u ul në Montreal vonë pasditen e së mërkurës, ku pasagjeri u mor nën kujdes nga autoritetet shëndetësore, ndërsa pjesa tjetër e fluturimit vazhdoi drejt Detroitit dhe mbërriti pas orës 20:00, sipas orës lokale.
Air France konfirmoi se pasagjeri ishte shtetas kongolez dhe iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara, sipas rregulloreve të reja që lejojnë hyrjen në SHBA vetëm përmes Aeroportit të Uashingtonit për udhëtarët nga vende të caktuara të Afrikës. Linja ajrore theksoi se nuk kishte ndodhur ndonjë emergjencë mjekësore në bord.
Ky incident vjen disa ditë pas vendosjes së kufizimeve të reja nga autoritetet amerikane: më 18 maj, CDC dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftuan ndalimin e përkohshëm 30-ditor të hyrjes për qytetarët jo-amerikanë nga Republika Demokratike e Kongos, Sudani i Jugut dhe Uganda, si dhe kontrolle të përforcuara shëndetësore për këdo që ka udhëtuar në këto vende në 21 ditët e fundit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar. Aktualisht, në provincat veriore të Kongos janë konfirmuar 51 raste dhe dy të tjera në Ugandë, ndërsa ka 139 vdekje të dyshuara dhe rreth 600 raste të dyshuara.
Top Channel