Berisha komenton votën për IBAR, kreu i PD: Para votimit, u amendua. Ka pasur reflektime të mëdha të problemeve të adresuara

21/05/2026 20:25

Drita jeshile dhënë nga Brukseli për të vijuar miratimin e IBAR për Shqipërinë u komentua nga kreu i opozitës, Sali Berisha.

Duke folur në tryezën ‘Gratë politikane të rajonit, Suedisë dhe EPP-së bashkë për Integrimin’, Berisha shprehu besimin se unioni do e mbajë fokusin te rajoni.

“IBAR u votua sot për Shqipërinë, por siç e keni dëgjuar ju, u amendua. U amendua në mënyrë serioze pas qëndrimit të qeverisë ndaj hetimeve, ndaj drejtësisë, ndaj luftës kundër korrupsionit. Pra, ka pasur reflektime të mëdha të problemeve për t’u adresuar”, tha ai.

Për Berishën, integrimi i vendit në Bashkimin Europian është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike.

“Ne besojmë se një e ardhme në BE do të thotë më shumë liri, më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri për qytetarët shqiptarë. Punojmë ngushtë me partitë simotra, me institucionet e Bashkimit Europian dhe me Këshillin e Europës. Çfarëdo vështirësish të përballemi, ne qëndrojmë thellësisht të bindur që të punojmë fort për integrimin, procesin e integrimit evropian”, tha Berisha.

Në tryezën për integrimin, Sali Berisha nuk i kurseu dhe sulmet ndaj kundërshtarit politik, Edi Rama, për të cilin tha se po e çon vendin drejt autokracisë.

Top Channel