Arrestohen 7 serbë në Prishtinë, dyshohen për kërcënime dhe shantazh para zgjedhjeve. Reagime të ashpra në Serbi Kosova ka nisur procedurat për formimin e një strukture të veçantë të sigurisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tregoi se xhandarmëria do të ketë një gamë të gjerë të përgjegjësisë.
“Një aspekt i sigurisë së Kosovës ka të bëjë me një zonë e cila është më shumë se policia e më pak se ushtria, prej ruajtjes së kufirit te luftimi i terrorizmit te mbyllja e çfarëdo shtegu të kontrabandës e deri te mbrojtja e infrastrukturës kritike”, shprehet Albin Kurti.
Njohësit e sigurisë thonë se një mekanizimi i tillë duhet të ketë qartësi në kompetencat që do të funksionalizohet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë të sigurisë që veprojnë në Kosovë.
Njohësi i sigurisë, Valdet Hoxha thotë: “Është e rëndësishme që planifikimi të jetë i duhur dhe të ndërtohet gradualisht në kuptim të themeleve të forta të funksionimit me kompetenca të qarta dhe natyrshëm që në kontekstin e sigurisë dhe bashkëpunimit edhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtar që operojnë në Republikën e Kosovës”.
Koha e nënshkrimit të vendimit përmes së cilit nisin procedurat për themelimin e xhandarmërisë, sipas njohësve krijon një perceptim që ky proces është i politizuar.
“Kjo ide, në këtë kohë fushate krijon një perceptim të arsyeshëm te qytetarët se ky proces mund të jetë i politizuar”, shton Hoxha.
Xhandarmëria synohet të funksionalizohet si agjencion në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ministri Xhelal Sveçla të martën nënshkroi vendimin për themelimin e një grupi punues që do të hartojë modalitetin e funksionimit të kësaj strukture.
Top Channel