Donald Trump pati një bisedë të gjatë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të martën në mbrëmje në lidhje me luftën në Iran.
Sipas medias izraelite Channel 12, biseda ishte e gjerë dhe dramatike, me dy udhëheqësit që dukeshin në prag të një vendimi për hapin tjetër kundër Teheranit.
Komunikimi vjen pas përpjekjeve të dështuara të Trump për ta lëvizur Teheranin nga pozicionimi i tij, pavarësisht kërcënimeve, deklaratave të ashpra dhe veprimeve ushtarake që ai ka njoftuar.
Të hënën, presidenti amerikan njoftoi se po pezullonte planet për rifillimin e menjëhershëm të sulmeve, me kërkesë të shteteve arabe të Gjirit, sepse po zhvillohen negociata serioze që mund të çojnë në një marrëveshje të pranueshme për SHBA-në dhe vendet e Lindjes së Mesme.
Pavarësisht shtyrjes, Trump mbajti retorikën e tij të ashpër, duke deklaruar se forcat ushtarake amerikane mbeten në gatishmëri të plotë për një sulm të zgjatur ndaj Iranit, në çdo kohë, nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.
Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se Irani synon të përmbushë kërkesat e SHBA-së, të cilat përfshijnë braktisjen e programit të tij bërthamor, ndalimin e zhvillimit të raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për aleatët rajonalë si Gaza, Iraku, Libani dhe Jemeni.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, preferenca e presidentit amerikan është për paqen dhe diplomacinë, por ai do të pranojë vetëm një marrëveshje që e vendos Amerikën në vend të parë. Zëdhënësja Olivia Ëales theksoi se presidenti Trump mban të gjitha kartat dhe mban të gjitha opsionet në tavolinë për të siguruar që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.
Irani ende kontrollon Ngushticën e Hormuzit, gjë që ka çuar në çmime të larta të karburantit dhe presion mbi Partinë Republikane përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Top Channel