Tapet i kuq për Putinin në Pekin/ Rusia kërkon forcimin e aleancës me Kinën, Xi sulmon “hegjemoninë unilaterale”

20/05/2026 08:13

Presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon sot takime “në shkallë të gjerë” me homologun kinez Xi Jinping në Pekin, në një vizitë që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Putin u prit me ceremoni zyrtare dhe tapet të kuq në Sallën e Madhe të Popullit. Në nisje të takimit, presidenti rus e quajti Xi Jinping një “mik të dashur” dhe tha se kishte pritur prej kohësh këtë vizitë.

Nga ana tjetër, Xi deklaroi se “hegjemonia unilaterale” po trondit botën dhe i bëri thirrje Kinës dhe Rusisë të ndërtojnë “një sistem qeverisjeje globale më të drejtë dhe të barabartë”.

Gjatë bisedimeve, Putin theksoi se Rusia mbetet një “furnizues i besueshëm i energjisë”, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të ndikojnë tregjet globale.

Presidenti rus ftoi gjithashtu Xi Jinping të vizitojë Rusinë vitin e ardhshëm, duke shtuar se marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit “po ndihmojnë stabilitetin global”.

Dy liderët pritet të marrin pjesë më vonë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjeve, aktivitete arsimore dhe një ceremoni çaji që do të mbyllë axhendën e ditës.

Top Channel