Tajlanda shkurton qëndrimin pa viza për mbi 90 vende, masa prek edhe SHBA-në dhe Britaninë

20/05/2026 12:18

Tajlanda ka vendosur të shkurtojë kohëzgjatjen e qëndrimit pa viza për qytetarët e mbi 90 vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në një lëvizje që shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e saj të turizmit.

Ministria e Jashtme tajlandeze njoftoi se programi i qëndrimit pa vizë për 60 ditë do të ndërpritet, duke u zëvendësuar me një kufi prej 30 ditësh për udhëtarët nga vende si Australia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Disa shtetas të tjerë do të duhet të aplikojnë për vizë në momentin e mbërritjes.

Autoritetet thonë se vendimi lidhet me shqetësime për abuzime të skemës së mëparshme, përfshirë raste të punës ilegale dhe veprimtari kriminale nga disa të huaj. Po ashtu, përmenden edhe çështje të sigurisë kombëtare si arsye për ndryshimin e rregullave.

Tajlanda kishte lehtësuar kufizimet e vizave në vitin 2024 për të nxitur turizmin pas pandemisë, por rritja e numrit të vizitorëve, që arriti në rreth 33 milionë në vitin 2025, ka sjellë edhe shqetësime për sjellje të pahijshme dhe mbingarkesë turistike në disa zona.

Në vitet e fundit janë raportuar raste vandalizmi në tempuj, konflikte në ambiente nate dhe arrestime të turistëve të huaj për vepra të ndryshme penale, çka ka shtuar presionin për masa më të forta kontrolli.

Top Channel