I dehur në timon u përplas me automjetin e policisë, ‘arrest në burg’ për 44-vjeçarin në Durrës

20/05/2026 11:55

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili rrezikoi jetën e efektivëve të policisë duke përplasur mjetin e tyre me automjetin e tij gjatë një tentative për t’i shpëtuar ndalimit.

Ai ishte i dehur në timon.

Avokati i 44-vjeçarit në një prononcim për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi, deklaroi se klienti i tij pranoi akuzën, ndërsa shtoi se nuk ka qenë i pajisur me pasaportë. “I mbrojturi prej meje e pranoi akuzën. Ishte rast i përsëritur, sepse edhe dy muaj më parë ka kryer të njëjtën vepër, ndaj gjykata vendosi masën shtrënguese ‘arrest në burg’. Përveç shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, nuk ishte i pajisur me patentë”, tha ndër të tjera avokati.

Si ndodhi ngjarja?

Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës. Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, ai ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.

Ngjarja ndodhi vetëm një rrugicë larg vendit ku pak ditë më parë humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër.

Pas arrestimit në flagrancë, testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte mjetin me 1.4 mg/l alkool, ndërsa rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale. Edhe më 5 mars ai ishte arrestuar në gjendje të dehur pas një incidenti rrugor, por ishte lënë në masën “detyrim paraqitjeje” me vendim gjykate duke e rikthyer sërish në rrugë e vënė në rrezik për jetën banorët dhe punonjësit e policisë.

Top Channel