‘Territorialja’ dëgjesë me qytetarët në Durrës/ Mazniku: Integrimin në BE duhet ta ndjejnë të gjitha zonat. Boçi: Duhet të ndryshojë modeli qeverisës

19/05/2026 22:28

Edhe qytetarët e Durrësit e shohin me dyshim reformën e re administrative-territoriale, që po bëhet nga politika. Shqetësimi kryesor i qytetarëve në Qarkun e Durrësit nuk janë vetëm shërbimet, por edhe problemi me pronat.

Në dëgjesën e komisionit nuk munguan edhe banorët, që preken nga projekti TID.

Bashkëkryetari socialist i reformës, Arbjan Mazniku, kërkoi gjetjen e një ekuilibri, pasi sipas tij, qëllimi final është i njëjti për të gjithë qytetarët në vend, integrimi në Bashkimin Europian.

“Duhet ti mbajmë sytë në një objektiv kombëtar, integrimi në BE. Ky është një objektiv i cili teksa ka negociata kombëtare dhe teksa Shqipëria shkon në BE të mirën e integrimit në BE duhet ta ndiejë paralelisht edhe Shijaku dhe Fushë-Kruja edhe Durrësi, duke pasur kapacitete që të ushtrojnë funksionet e tyre, por edhe duke tërhequr financimet nga Bashkimi Evropian”, tha Mazniku.

Standardi i shërbimeve për qytetarët është sfida kryesore e kësaj reforme të re, tha bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, i cili renditi kërkesat e opozitës.

“Ne duhet të vendosim një standard minimal shërbimesh, ta përcaktojmë brenda reformës. Kjo është sfidë me qytetarin, ne jemi këtu për tu bërë të përgjegjshëm për t’i shërbyer qytetarin. Dhe ajo që kërkon PD është e thjeshtë, duhet të ndryshojë modeli qeverisës, funksionalitet, kompetenca, autonomi, mbështetje financiare në të gjitha format, por duhet të ndryshojë edhe modeli i territorit”, u shpreh Boçi.

Durrësi ishte ndalesa e tetë e Komisionit të reformës administrative-territoriale, ku edhe në qytetet e tjera është pritur me kritika nga qytetarët.

 

 

Top Channel