“Tentoi të më sulmonte makinën”/ Kryetari i komunës së Skënderajt i përgjigjet Kurtit: Duke qenë se po vazhdon me shpifjet ndaj meje, nga nesër…

19/05/2026 18:12

Sami Lushtaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke i quajtur ato të pavërteta dhe shpifëse.

Në një reagim publik, Lushtaku mohoi pretendimet e Kurtit lidhur me një incident të ndodhur vitin e kaluar në Skenderaj, ku sipas kryeministrit kishte pasur një tentativë sulmi me makinë.

Kryetari i Skenderajt tha se për ngjarjen ekzistojnë raportet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat, sipas tij, vërtetojnë se nuk ka pasur rrezik apo kërcënim për sigurinë në komunikacion.

Ai theksoi se rasti është trajtuar dhe mbyllur nga institucionet kompetente, ndërsa akuzoi Kurtin për vazhdim të sulmeve politike ndaj tij.

“Duke qenë se po vazhdon me akuza dhe shpifje publike ndaj meje, nga nesër do të nis procedurat ligjore për këtë çështje”, deklaroi Lushtaku.

Në reagimin e tij, ai hodhi kritika edhe ndaj qeverisjes së Kurtit, duke pretenduar se gjatë viteve në pushtet nuk janë realizuar projekte të mëdha zhvillimore për Kosovën.

Sipas Lushtakut, qeveria aktuale është karakterizuar nga propaganda politike, përçarjet dhe retorika e viktimizimit.

“Mjaft më!”, përfundon reagimi i tij publik.

Top Channel