Përleshje të dhunshme në Bolivi, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit të vendit

19/05/2026 07:48

Përleshje të dhunshme kanë shpërthyer në kryeqytetin e Bolivisë, La Paz, mes forcave të policisë dhe protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e presidentit të qendrës së djathtë Rodrigo Paz, ndërsa vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Përleshje të dhunshme kanë shpërthyer në kryeqytetin e Bolivisë, La Paz, mes forcave të policisë dhe protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e presidentit të qendrës së djathtë Rodrigo Paz, ndërsa vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Situata në kryeqytet është tensionuar ndjeshëm, pasi trafiku në La Paz është paralizuar prej dy javësh nga bllokada të shumta rrugore të ngritura në zona të ndryshme të qytetit. Këto bllokime kanë izoluar praktikisht kryeqytetin nga pjesa tjetër e vendit, duke shkaktuar mungesa të karburantit, ushqimeve dhe ilaçeve.

Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, presidenti Rodrigo Paz po përballet me protesta masive nga fermerë, minatorë, punëtorë dhe mësues, të cilët shprehin pakënaqësi të fortë për përkeqësimin e situatës ekonomike, e konsideruar si më e rënda në Bolivi në katër dekadat e fundit.

Gjatë përplasjeve më të fundit, një grup minatorësh u përpoq të afrohej drejt sheshit Murijo, ku ndodhen pallati presidencial dhe parlamenti, por u zmbraps nga policia me gaz lotsjellës. Protestuesit iu përgjigjën me gurë dhe kokteje Molotov drejt forcave të sigurisë.

Autoritetet deri më tani nuk kanë raportuar për të lënduar apo të arrestuar, ndërsa situata mbetet e tensionuar në disa zona të kryeqytetit.

Në La Paz kanë mbërritur edhe mbështetës të ish-presidentit socialist Evo Morales, të cilët pas një marshimi shtatëditor nga rajoni i Oruros kërkojnë largimin e presidentit aktual.

“Ne duam që ai të japë dorëheqjen sepse është i paaftë. Bolivia është në kaos”, tha për AFP fermeri Ivan Alarcón.

Top Channel