“Marrëveshje ose sulm i plotë”, Trump për Iranin: Po zhvillohen negociata serioze

19/05/2026 08:03

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ka pezulluar një sulm ushtarak të planifikuar ndaj Iranit, pas kërkesës së vendeve të Gjirit Persik dhe nisjes së negociatave të reja mes palëve.

Në një postim në “Truth Social”, Trump tha se udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i kanë kërkuar të mos ndërmarrë sulmin, pasi sipas tyre ekziston mundësia për një marrëveshje të pranueshme me Teheranin.

Po zhvillohen negociata serioze. Më është thënë se mund të arrihet një marrëveshje shumë e pranueshme për SHBA-në. Nuk do të ketë asnjë armë bërthamore për Iranin”, shkroi Trump.

Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA është gati të ndërmarrë “një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë” nëse negociatat dështojnë.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me raketa dhe dronë drejt bazave amerikane dhe Izraelit.

Shtetet arabe të Gjirit druajnë se një përshkallëzim i ri i konfliktit mund të sjellë sulme iraniane ndaj aeroporteve, rafinerive të naftës dhe impianteve të ujit në rajon, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe energjetik.

Ndërkohë, Irani vijon të mbajë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke thënë se “ka një shans shumë të mirë” për zgjidhje diplomatike.

Nëse mund ta zgjidhim këtë pa bombardime, do të isha shumë i lumtur”, deklaroi ai para gazetarëve.

Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve amerikane. Një komandant i lartë iranian tha se SHBA nuk duhet të bëjë “gabime strategjike dhe llogaritje të gabuara”.

Sipas mediave iraniane, Teherani ka kërkuar fundin e sulmeve në rajon, heqjen e bllokadës amerikane dhe garanci se nuk do të ketë sulme të tjera ndaj Iranit.

Ndërkohë, sondazhet në SHBA tregojnë se mbështetja për përfshirjen në luftë me Iranin po bie. Një sondazh i “New York Times/Siena” tregon se 64% e amerikanëve besojnë se hyrja në konflikt ishte vendim i gabuar.

Top Channel