Skandali i arrestimit të shefit të Policisë në Serbi, pse Vuçiç po e hedh fajin në Malin e Zi
Deputetja e PS dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në mbështetje të protestës së mbajtur dje në Shkup nga studentët shqiptarë.
“Në Maqedoninë e Veriut, studentët shqiptarë protestuan për gjuhën shqipe. Vetëm ky fakt është mjaftueshëm i rëndë për të kuptuar se problemi nuk është procedural, por thellësisht politik, institucional dhe moral.
Protesta e djeshme tregoi se ndonjëherë një shtet i zbulon çështjet e pazgjidhura jo në sallat e parlamentit dhe as në deklaratat politike, por në rrugë. I zbulon në fytyrat e studentëve. Në mënyrën se si një i ri detyrohet të protestojë për diçka që në Europë do të duhej të ishte zgjidhur prej kohësh.
Problemi nuk është vetëm një provim në gjuhën shqipe. Problemi është shumë më i thellë. Është fakti se barazia e shqiptarëve ende trajtohet si kompromis politik dhe jo si themel kushtetues i shtetit. Një gjuhë nuk është përkthim administrativ. Është dinjitet, kujtesë dhe identitet. Është mënyra se si një popull i mbijeton historisë, kohës dhe çdo përpjekjeje për zbehje apo asimilim.
Dhe kur studentët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën për të mësuar, për t’u testuar dhe për të jetuar në gjuhën e tyre, atëherë problemi nuk është te studentët. Problemi është te një politikë që ende nuk e ka pranuar plotësisht barazinë si vlerë themelore të shtetit.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë atë që duhet të ishte zgjidhur para shumë vitesh dhe që në këtë shekull nuk do të duhej të diskutohej më.
Shqiptarët si etnitet politik, gjuha shqipe dhe të drejtat kolektive duhet të jenë të përcaktuara qartë, fort dhe pa ekuivok në Kushtetutën e shtetit, sepse shqiptarët nuk janë pakicë e toleruar, por një nga shtyllat shtetformuese të vetë Maqedonisë së Veriut.
Këto çështje nuk mund të mbahen pezull përmes interpretimeve politike apo ligjeve që ndryshojnë sipas klimës së pushtetit. Ato duhet të jenë standard kushtetues dhe demokratik, në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me vetë standardet europiane aq të përsëritura.
Në këtë moment kërkohet më shumë urtësi, më shumë dialog dhe më shumë vizion. Kërkohet besim se barazia nuk e dobëson shtetin, e forcon atë. Se respektimi i gjuhës, dinjitetit dhe identitetit të shqiptarëve nuk është kërcënim për askënd, por garanci për një Maqedoni të Veriut më demokratike, më të qëndrueshme dhe më europiane.
Sepse në fund, gjuha shqipe është pjesë e shpirtit tonë. Dhe askush nuk mund t’i kërkojë një populli të heshtë në gjuhën e vet”, shkruan Spiropali.
Top Channel