Irani tejkalon shifrat e vitit 1981, ekzekuton mbi 2 mijë persona brenda 2025-ës
Një ushtare 24 vjeçare britanike e cila ishte pjesë e Artilerisë Mbretërore të Kuajve ka humbur jetën tragjikisht duke rënë nga kali gjatë një shfaqjeje në Panairin Mbretëror të Kuajve në Windsor, tha Policia e Luginës së Thames.
Incidenti ku humbi jetën, 24-vjeçarja e identifikuar si Ciara Sullivan, ndodhi menjëherë pasi ajo doli nga arena ku po mbahej shfaqja.
Ajo mori trajtim të menjëhershëm mjekësor, por kishte pësuar lëndime të rënda dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Mbreti u “trondit dhe u trishtua” kur mësoi për vdekjen e ushtares 24-vjeçare, tha një zëdhënës i Pallatit të Buckingham-it, dhe ai do të jetë në kontakt me familjen e saj.
“Ndërsa Madhëria e Tij dhe anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore ishin të pranishëm në arenë në kohën kur ndodhi incidenti, ata nuk u njoftuan për situatën deri më vonë”, tha zëdhënësi.
Pak kohë më vonë erdhi edhe njoftimi i Ushtrisë Mbretërore.
“Me keqardhje të thellë njoftojmë se një anëtar i Artilerisë Mbretërore të Kuajve të Trupës së Mbretit vdiq të premten më 15 maj, pas një incidenti tragjik në Panairin Mbretëror të Kuajve në Windsor. Familja është njoftuar dhe mendimet tona janë me ta në këtë kohë të trishtueshme dhe të vështirë”, thuhej në njoftimin e saj.
Kapiteni i Policisë së Luginës së Thames, Michael Loebenberg, tha se oficerët “nuk kanë gjetur asnjë rrethanë të dyshimtë” rreth vdekjes.
“Ne po punojmë me Ministrinë e Mbrojtjes, Degën e Hetimit të Aksidenteve të Mbrojtjes dhe organizatorët e Panairit Mbretëror të Kuajve në Windsor, HPower, për të mbledhur sa më shumë informacion të jetë e mundur për të kuptuar se si ndodhi ky aksident tragjik”, shtoi ai.
Forca tha se Panairi katër-ditor i Kuajve Mbretëror në Windsor do të vazhdojë sipas planit, me mungesën e shfaqjes së Trupës së Mbretit dhe Artilerisë Mbretërore të Kuajve.
Top Channel