G7 fokus te Irani dhe Ngushtica e Hormuzit, ministrat mblidhen në Paris
Një shpërthim i ri i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Uganda ka ngritur alarmin ndërkombëtar, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën “emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar”.
Sipas OBSH-së, deri tani janë raportuar të paktën 80 viktima të dyshuara, tetë raste të konfirmuara në laborator dhe 246 raste të dyshuara në provincën Ituri në verilindje të Kongos. Ndërkohë, në Ugandë janë konfirmuar dy raste, mes tyre edhe një viktimë në kryeqytetin Kampala.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan se po bashkëpunon me autoritetet për të zhvendosur një “numër të vogël” amerikanësh që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.
Raportohet se disa shtetas amerikanë në Kongo dyshohet se kanë pasur kontakt me virusin, ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar ende nëse ka qytetarë të infektuar. CDC deklaroi se po forcon mbështetjen në terren me testime laboratorike, gjurmim kontaktesh dhe mbikëqyrje epidemiologjike.
Ekspertët paralajmërojnë se shpërthimi mund të jetë shumë më i madh nga sa tregojnë shifrat aktuale. Sipas OBSH-së, niveli i lartë i rasteve pozitive dhe përhapja në disa zona shëndetësore tregojnë rrezik serioz për zgjerim të epidemisë.
Dy rastet në Kampala nuk kanë lidhje mes tyre, çka sipas ekspertëve konsiderohet një sinjal shqetësues se virusi mund të jetë përhapur më gjerë në rajon. Shpërthimi aktual lidhet me variantin Bundibugyo të virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik të miratuar.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit direkt me lëngjet trupore dhe simptomat përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh dhe skuqje në trup. Shkalla e vdekshmërisë për këtë variant vlerësohet nga 25 deri në 40%.
Frikë nga përhapja mes krizës humanitare
Situata po komplikohet edhe më shumë nga konflikti në lindje të Kongos, ku miliona njerëz janë zhvendosur dhe sistemi shëndetësor është dobësuar ndjeshëm.
OBSH dhe organizata humanitare si Médecins Sans Frontières kanë dërguar ekipe emergjente dhe rreth shtatë ton pajisje mjekësore në qytetin Bunia për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Mes viktimave të dyshuara raportohen edhe katër punonjës shëndetësorë, duke rritur frikën për përhapje brenda spitaleve dhe komuniteteve.
Top Channel