“Sukses pavarësisht fushatave të shpifjes”/ Përplasje mes Izraelit dhe Spanjës gjatë Eurovisionit, Pedro Sanchez: Që lufta të mos jetë indiferente…

17/05/2026 21:59

Tensionet diplomatike mes Izraelit dhe Spanjës janë rikthyer në qendër të vëmendjes edhe gjatë Eurovision Song Contest 2026.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka uruar këngëtarin izraelit Noam Betan për vendin e dytë në festivalin e mbajtur në Vjenë, duke sulmuar njëkohësisht kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez.

Në një postim në rrjetin social X, Katz deklaroi se artisti izraelit arriti sukses “pavarësisht fushatës së shpifjeve dhe nxitjes” nga Pedro Sánchez dhe aleatët e tij. Ministri izraelit falënderoi gjithashtu këngëtarin për përfaqësimin e vendit dhe për mbështetjen morale ndaj ushtarëve izraelitë.

Debati politik rreth Eurovisionit u thellua edhe më shumë pasi RTVE vendosi të mos transmetojë festivalin për herë të parë që nga viti 1961. Në vend të tij, televizioni publik spanjoll transmetoi programin “La casa de la música”.

Pak para nisjes së festivalit, në ekranin e RTVE-së u shfaq një mesazh ku thuhej: “Eurovisioni është një konkurs, por të drejtat e njeriut nuk janë. Nuk ka vend për indiferencë. Paqe dhe drejtësi për Palestinën.”

Ndërkohë, Pedro Sánchez publikoi në rrjetet sociale një fragment nga programi alternativ, të shoqëruar me mesazhin: “Që lufta të mos jetë indiferente…”, duke rritur më tej tensionet politike mes dy vendeve për shkak të konfliktit në Palestinë.

Spanja ishte një ndër vendet që refuzoi të merrte pjesë këtë vit në Eurovision për sa kohë pjesë e konkursit do të ishte edhe Izraeli.

Top Channel