“Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mbështetje e re për bizneset shqiptare”, kryeministri Rama: Kredi me interesa 2-3%

17/05/2026 09:47

Kryeministri Edi Rama ka folur për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili synon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes kredive me interesa të ulëta dhe garancisë sovrane të qeverisë.

Në podkastin e tij të përjavshëm “Flasim”, Rama tha se gjatë kësaj jave është nënshkruar partneriteti mes qeverisë, sistemit bankar dhe Bankës së Shqipërisë për financimin e sipërmarrjes shqiptare. Sipas tij, programi krijon më shumë mundësi për bizneset e vogla dhe të mesme që të zgjerojnë aktivitetin e tyre dhe të investojnë më tej.

Ai bëri me dije se përmes këtij programi do të ofrohen kredi me interesa nga 2 deri në 3%, ndërsa garancia sovrane e qeverisë do të variojë nga 30 deri në 70%, në varësi të nivelit të riskut.

Këtë javë nënshkruam edhe partneritetin shumë të rëndësishëm mes shtetit dhe sistemit bankar për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare. U hodh një hap i paralajmëruar, por që është një hap në drejtimin e duhur me një potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e mëtejshme të sipërmarrjes shqiptare.

Nënshkrimi i partneritetit ndërmjet qeverisë, sistemit bankar dhe linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë për programin kombëtar të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një derë e hapur, një program që u jep shumë më tepër mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të rriten përmes kredive me interesa të ulëta dhe garancisë sovrane të qeverisë për kredinë e tyre. Një program i lindur nga nevoja tanimë gjithmonë e më e zëshme e sipërmarrjes së vogël shqiptare për t’u rritur në bazë të themeleve të hedhura me shumë punë, me shumë përpjekje, me shumë mund dhe, në shumë raste, me eksperiencën e fituar në emigracion.

Njerëz me ide, njerëz me energji, me vullnet kanë nevojë të kenë shtetin në krah, të kenë qeverinë në krah për ta zgjeruar aktivitetin e tyre, pasi për të riinvestuar duhet një financë që ata hë për hë nuk e kanë, por nga ana tjetër kanë në dorë një zanafillë që mund ta kthejë atë financim të kredituar në një sukses komercial plotësisht të arsyeshëm për kredinë mbështetëse.

Kështu që, përmes këtij programi, ne besojmë shumë që, duke vënë në dispozicion një linjë kredie me interesa nga 2 deri në 3% dhe një garanci sovrane nga 30 deri në 70%, në bazë të riskut, do t’u japim mundësira të mëdha konkrete mijëra ndërmarrjeve shqiptare“, tha kryeministri.

Top Channel