Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka përballuar gjatë vitit 2025 një volum të lartë pune, ku në total janë administruar 2132 çështje, të cilave u janë bashkëngjitur edhe 1198 çështje të mbartura nga viti 2024, duke e çuar numrin total të çështjeve për shqyrtim në 3330.
Sipas analizës vjetore të prezantuar nga kryetarja e gjykatës, Entela Selmanaj, gjatë vitit 2025 kanë përfunduar gjykimin 2073 çështje, ndërsa 1257 të tjera janë mbartur për shqyrtim në vitin 2026.
Në raport u theksua se Gjykata e Gjirokastrës ka arritur të reduktojë backlog-un me 35%, duke u renditur e dyta në rang vendi për përmirësimin e performancës në këtë drejtim.Ngarkesa më e lartë rezulton në çështjet familjare me palë kundërshtare, me 230 raste, nga të cilat 153 kanë pasur si objekt zgjidhjen e martesës. Gjithashtu, gjatë vitit janë kërkuar 53 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje për raste të dhunës në familje. Sipas statistikave të gjykatës, kriminaliteti në qarkun e Gjirokastrës karakterizohet kryesisht nga vepra penale me rrezikshmëri të ulët, ndërsa numrin më të lartë e zënë veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike, me 227 raste. Në analizë u theksua se trupa gjyqësore ka punuar nën ngarkesë të lartë, me synim respektimin e afateve procedurale, uljen e kohëzgjatjes së proceseve dhe rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Top Channel