“Qetësia para stuhisë”, rriten dyshimet për sulme ndaj Iranit, Netanyahu pritet të flasë me Trump
Irani ka emëruar kryetarin e parlamentit dhe kryenegociatorin në bisedimet me SHBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf, si të dërguar special për marrëdhëniet me Kinën, në një lëvizje që tregon rëndësinë strategjike që Teherani po i kushton partneritetit me Pekinin mes tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas mediave iraniane, emërimi i tij u propozua nga presidenti Massoud Pezeshkian dhe u miratua nga udhëheqësi suprem Mojtaba Khamenei. Agjencia Tasnim raportoi se Ghalibaf do të jetë përgjegjës për koordinimin e të gjitha aspekteve të marrëdhënieve mes Iranit dhe Kinës.
Kina konsiderohet partneri më i madh tregtar i Iranit dhe blerësi kryesor i naftës iraniane, ndaj ky post shihet si kyç për ekonominë dhe diplomacinë iraniane në një periudhë tensionesh me Perëndimin.
Pozicioni më parë mbahej nga Ali Larijani, i cili kishte mbikëqyrur marrëveshjen strategjike 25-vjeçare mes Iranit dhe Kinës të nënshkruar në vitin 2021. Sipas raportimeve, Larijani humbi jetën në një sulm izraelit në mars.
Ghalibaf ka qenë gjithashtu në qendër të kontakteve diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Ai mori pjesë në negociatat e zhvilluara më 11 dhe 12 prill në Islamabad me delegacionin amerikan të udhëhequr nga zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance. Këto bisedime u konsideruan si kontaktet më të nivelit të lartë mes Teheranit dhe Uashingtonit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Ndërkohë, gjatë vizitës së Presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, Irani njoftoi se marina e tij kishte lejuar kalimin e anijeve kineze nëpër Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike që Teherani e kishte bllokuar pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lëvizjet e fundit tregojnë përpjekjet e Iranit për të forcuar aleancën me Pekinin, ndërsa vazhdon përplasja diplomatike dhe ushtarake me SHBA-në dhe aleatët e saj.
Top Channel