“Grumbulloni ushqime dhe sendet bazë”, kubanezët përgatiten për ‘pushtim’, SHBA-të përshkallëzojnë tensionet me ishullin

17/05/2026 11:10

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës po rriten ndjeshëm, ndërsa në ishull po shtohen frikërat për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.

Sipas një analize të CNN, autoritetet kubane kanë nisur përgatitje emergjente dhe plane mbrojtjeje civile, ndërsa popullsia përballet me krizë të rëndë ekonomike, mungesë karburanti dhe ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

Situata u tensionua më tej pas vizitës në Havana të drejtorit të Agjencia Qendrore e Inteligjencës, John Ratcliffe, një lëvizje që në Kubë u interpretua si sinjal i fortë politik nga administrata amerikane. Sipas raportimit, Ratcliffe akuzoi autoritetet kubane për bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën në instalimin e posteve të përgjimit në ishull dhe për veprime kundër interesave amerikane në rajon.

Vetëm pak orë pas largimit të tij nga Havana, mediat raportuan se prokurorët federalë amerikanë po shqyrtojnë ngritjen e një padie ndaj ish-presidentit kubanez Raul Castro.

Një zhvillim i tillë shihet nga autoritetet kubane si një përshkallëzim i rrezikshëm që mund të çojë në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve diplomatike. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel deklaroi se vendi është “gati të japë jetën për revolucionin”, ndërsa mediat shtetërore kanë transmetuar stërvitje ushtarake dhe mobilizim civil në rast të një sulmi të mundshëm.

Në të njëjtën kohë, popullsia po përballet me kushte të vështira jetese. Spitalet raportohen me mungesa ilaçesh, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike zgjasin me orë të tëra çdo ditë.

Autoritetet kubane kanë shpërndarë edhe udhëzime për qytetarët se si të përgatiten në rast të një “agresioni ushtarak hipotetik”, duke rekomanduar grumbullimin e ushqimeve dhe sendeve bazë.

Megjithatë, deri tani administrata amerikane nuk ka deklaruar publikisht se po planifikon një operacion ushtarak ndaj Kubës.

Top Channel