Hakerët godasin SHBA, sulm kibernetik ndaj pikave të karburantit: Dyshimet na çojnë te Irani

16/05/2026 13:43

Zyrtarë amerikanë dyshojnë se pas një serie sulmesh kibernetike ndaj sistemeve që monitorojnë rezervat e karburantit në pika karburanti në disa shtete të SHBA-së, qëndrojnë hakerë të lidhur me Iranin.

Sipas burimeve të njohura me hetimin, ky grup personash ka depërtuar në sistemet automatike të matjes së rezervuarëve, të njohura si ATG, të cilat në shumë raste ishin të lidhura online dhe pa mbrojtje me fjalëkalim.

Hakerët kanë arritur të manipulojnë shfaqjen e të dhënave në ekranet e monitorimit, por jo nivelet reale të karburantit. Deri tani nuk raportohet për dëme fizike apo incidente serioze, megjithatë autoritetet amerikane dhe ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se një qasje e tillë mund të përdoret për të fshehur rrjedhje karburanti apo për të krijuar probleme të rrezikshme sigurie.

Sipas hetuesve, Irani konsiderohet një nga të dyshuarit kryesorë për shkak të historikut të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike amerikane. Megjithatë, mungesa e provave dixhitale të lëna pas nga hakerët e bën të vështirë identifikimin përfundimtar të autorëve.

Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe FBI nuk kanë komentuar publikisht mbi rastin.

Nëse përfshirja e Iranit konfirmohet, ky do të ishte rasti më i fundit i kërcënimeve të Teheranit ndaj infrastrukturës kritike në territorin amerikan, në një kohë tensionesh të larta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Sulmet mund të rrisin gjithashtu presionin politik ndaj administratës Trump, pasi lufta ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të karburantit.

Një sondazh i fundit i CNN tregoi se 75% e amerikanëve besojnë se konflikti me Iranin ka ndikuar negativisht në financat e tyre.

Top Channel