Fundi i tensioneve? Merz telefonatë me Trump, Pata një bisedë shumë të mirë me presidentin

16/05/2026 10:03

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së kanë qenë së fundmi të tensionuara, por kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti amerikan Donald Trump duket se i kanë ‘shuar gjakrat’ pasi kreu i ekzekutivit gjerman njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Merz shkroi në platformën X se biseda me Trump kishte qenë “e mirë” dhe se të dy kishin ranë dakord se Irani duhet të rikthehet në tryezën e negociatave. Gjithashtu, sipas Trumpit dhe Merzit Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe Irani nuk duhet të zotërojë armët bërthamore.

Sipas kancelarit Merz tema të tjera të bisedës telefonike me presidentin amerikan ishin gjetja e një zgjidhjeje paqësore për Ukrainën si dhe samiti i NATO-s në Ankara që do të zhvillohet në fillim të qershorit. “SHBA-ja dhe Gjermania janë partnerë të fortë në një NATO të fortë”, theksoi më tej kancelari Merz.

Gjatë telefonatës Donald Trump ndodhej në avion në fluturimin e kthimit nga Kina. Atje ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Edhe në ato bisedime temë kryesore ishte Irani. Deri tani Trump nuk është shprehur publikisht për bisedën me Merzin.

Marrëdhënia mes Friedrich Merz dhe Donald Trump ka qenë për një kohë të gjatë mjaft e mirë. Megjithatë javët e fundit Trump reagoi ashpër ndaj disa deklaratave të kancelarit Merz, i cili gjatë një aktiviteti me nxënës në Sauerland kishte thënë se SHBA-ja duket se nuk ka një strategji të qartë në luftën me Iranin. Duke iu referuar negociatave të bllokuara, ai tha gjithashtu se “një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja shtetërore iraniane”.

Pas kësaj Trump e akuzoi Merzin se nuk e di për çfarë po flet. Ai kërcënoi gjithashtu se do të shqyrtonte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

Në fillim të majit qeveria amerikane njoftoi tërheqjen e 5000 trupave të stacionuara në Gjermani. Ministria e Mbrojtjes e justifikoi vendimin me një rishikim të detajuar të stacionimit të forcave amerikane në Evropë.

Trumpi e ka akuzuar vazhdimisht Gjermaninë si dhe partnerë të tjerë të NATO-s për mungesë mbështetjeje në konfliktin me Iranin dhe ka bërë të qartë disa herë se kishte pritur më shumë nga NATO. Sipas tij NATO është një aleancë mbrojtëse, e cila duhet të reagojë në rast se një nga shtetet anëtare sulmohet./DW

Top Channel