Castro si Maduro? Reuters: SHBA po përgatit aktakuzë për ish-liderin e Kubës Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Një komentues e pyeti liderin demokrat, duke i shkruar: “A mund të na thoni se sa metra ka kilometri i fundit, se nuk paska të sosur?”.
Në përgjigjen e tij, Berisha u shpreh se tani, opozita duhet të fitojë përfundimisht betejën për votën e lirë.
Përgjigja e Berishës:
Të falënderoj miku im dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj në këtë shpjegim të shkurtër.
E nisëm në shtator të vitit 2021, në një kohë kur projekti ishte Shqipëria pa opozitë, ose projekti ishte Shqipëria me fasadë opozitë.
Besoj se është e qartë.
Dhe së bashku u ngritëm me guxim, u ngritëm me vendosmëri për një ideal themelor, për të mbrojtur pluralizmin e vërtetë.
Besoj se e realizuam këtë.
Së dyti, ecëm. Na e mbajtën selinë, na e morën vulën. Na përjashtuan nga lista e votimit. Janë këto të vërteta apo jo? Janë të vërteta.
Çfarë ndodhi? 500 mijë shqiptarë votuan për ne.
Edi Rama, pasi e pa që nuk kontrollon më opozitën, gjeti si rrugë, rrugën e etërve të tij. Vuri në arrest kryetarin e partisë opozitare kryesore, në arrest kryetarin e partisë së dytë opozitare, në ndjekje penale kreun e partisë së tretë opozitare.
Në praktikë, totalisht staliniste.
Po, a na mposhti dot?
Jo, nuk arriti kurrë të na mposhtë.
Me ndërhyrje të stërfuqishme u përça grupi parlamentar. U bashkuam në kundërshtim me të gjitha ndërhyrjet. Rikthyem logon, morëm pjesë në zgjedhjet lokale. Janë të gjitha kilometra këto.
I dhunoi nen për nen. Mbrojtëm votën. Librin e Zi.
A nuk ishim ne tre ose katër vite më parë forca më e izoluar në Evropë në mënyrën më të pamerituar?
Ne po luftonim mafien ndërkombëtare, mafien shqiptare, ne po luftonim për pluralizmin e vërtetë.
Por ne ia dolëm dhe sot janë 8 rezoluta ndërkombëtare që damkosin Edi Ramën, damkosin farsën elektorale, damkosin persekutimin politik të Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut, të liderëve të opozitës.
A nuk janë këto kilometra që i bëmë bashkërisht? A nuk është ky një udhëtim epik i dashur mik në përballje me regjimin më të korruptuar në Evropë dhe narkoshtetit të parë dhe të vetëm?
Po. Pse kilometri i fundit?
Sepse të gjitha këto kilometra ne i bëmë me sukses. Në secilin prej këtyre kilometrave ne mund të mbeteshim.
Unë do ndalem vetëm në një moment. Mbrojtja e votës është një nga gjërat më të vështira sepse prirja është që qarjet e opozitës të merrem me kujdes.
Qeveria ka lobingje të jashtëzakonshme, por kur e realizuam ne mbrojtjen e votës?
E realizuam në zgjedhjet lokale. Me Librin e Zi ne bëmë që në rezolutat e miratuar në Uashington, në Maltë dhe Valencia, procesi zgjedhor në Shqipëri të damkosej si farsë.
A mund të realizoje ti objektivin në kushtet e një farse?
Jo, opozita nuk fiton farsa.
Pra, ne i bëmë këto kilometra si opozitë e pamposhtur dhe e vërtetë.
Pse, kilometri i fundit?
Po, tani nuk na thotë kush do mbroni apo jo votën se ne e kemi mbrojtur votën.
Tani nuk na thotë kush që nuk keni alternativë kur ne kemi programin më të shkëlqyer që nuk e ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Tani nuk na thotë kush që jeni të izoluar në një kohë kur kemi mbështetjen më të madhe.
Por, e kemi bulevard tani?
Jo, nuk e kemi bulevard. Dhe diktatura me votë nuk ikën.
Cili është atëherë objektivi?
Objektivi është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike.
A janë hedhur bazat për këtë kërkesë?
Po. Janë disa rezoluta, edhe e fundit që u miratua në Zagreb që insiston për qeveri teknike.
Por në mënyrë të veçantë damkosja e zgjedhjeve si një proces ku u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake fakton se me këtë regjim nuk ka zgjedhje dhe duhet një qeveri teknike, një qeveri për të bërë zgjedhje.
Dhe këtë e kemi në dorë ne, kjo është në dorën tonë si opozitë, të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në realizimin e objektivit.
Ky është kilometri i fundit. I lamë të gjitha mbrapa.
Kaluam një kalvar sa asnjë forcë tjetër politike, por fituam.
Tani ne duhet të fitojmë përfundimisht betejën për votën e lirë.
Kështu që, kërkoj mirëkuptim.
Nuk është kilometër i lehtë ky, jo, e kam thënë dhe e them, por është vendimtar.
Dhe ne që bëmë të gjithë ato kilometrat e tjera, ne këtë do ta bëjmë dhe do fitojmë.
Top Channel