I njohur si burgu i grave, dhe i mbyllur gati dy vjet më parë, kjo godinë duhet të shërbente si një institucion penitenciar për të dënuarit që do t’i nënshtroheshin gjysmë lirie.

Por edhe stafi u trajnua nga britanikët dhe ambientet u bënë gati për të dënuarit që ditën i lanë këto ambiente dhe natën kthehen sërish.

Burgu i hapur është bosh; që nga largimi i grave të burgosura drejt Pojskës. Kjo është shkresa që me hapjen e gjysmë burgut u njohën gjyqtarët dhe prokurorët për të reflektuar në vendimmarrje tolerancë mbi krimet e lehta në mënyrë që gjyqësori të shpallë si dënim gjysmëlirinë, një e drejtë e garantuar me ligj e cila në pesë vjet ka gjetur aplikim vetëm në 97 raste.

“Kërkesat janë shumë të pakta nga ana e të dënuarve por edhe nga ana e gjyqtares sepse nuk ka një koordinim të mirë midis institucioneve, prokurorisë, gjyqtares dhe shërbimit të provës që koordinojnë veprimet në këtë rast. Është për të ardhur keq se qëllimi është riedukimi nëpërmjet punës”, shprehet avokati, Saimir Vishaj.

Aktualisht edhe burgjet nuk po shqyrtojnë përmes komisioneve të posaçme aplikimin e burgut të hapur që sipas ligjit aplikohet ndaj të dënuarve që u ka mbetur jo më shumë se 6 muaj dënim. Sepse, si shpjegohet zyrtarisht për TCH, me këtë prag dënimi askush nuk është i interesuar. Nga ana tjetër, edhe propozimet për të ndryshuar ligjin kanë ngelur në komisionin e ligjeve.

Sugjerimi për të ndërhyrë në ligj përfshin mos mbylljen në qeli, sigurimin e një kontrate pune dhe rritjen e pragut të dënimit të mbetur.

Në projektligj sillet modeli britanik dhe sugjerohet kalimi në burg të hapur i të dënuarve të cilëve u ka mbetur 2 vjet heqje lirie.

Top Channel