Një grup hetimor në Paris do të hedhë dritë mbi vrasjen e gazetarit disident saudit, Jamal Khashoggi në vitin 2018, pasi organizatat për të drejtat e njeriut depozituan një ankesë kundër princit të kurorës Mohammed Bin Salman.

Lajmin e përcjell AFP, që kujton se si Bin Salman, ashtu edhe Arabia Saudite u përballën me një reagim të ashpër ndërkombëtar pas ngjarjes shokuese në konsullatën saudite në Stamboll, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës besojnë se princi i kurorës ishte përgjegjës drejtpërdrejt.

Khashoggi, një gazetar i pavarur që mbante shtetësinë amerikane, publikoi në Washington Post një shkrim tejet kritik për mbretërinë e pasur me naftë, e pas kësaj u mbyt e trupi i tij u copëtua brenda ndërtesës së misionit diplomatik.

Organizata që e kishte punësuar, DAWN-Demokracia për Botën Arabe Tani, dhe grupi për të drejtat e njeriut Trial International e kishin paraqitur fillimisht  padinë në gjykatat franceze gjatë vizitës së Mohammed Bin Salman në Francë në korrik 2022. Më pas, asaj iu bashkua edhe një ankesë nga organizata për lirinë e shtypit Reporterët pa Kufij. “Hetues nga njësia për krimet kundër njerëzimit do të verifikojnë tani ankesën” për torturë dhe zhdukje personi, konfirmoi Zyra Kombëtare e Prokurorisë Kundër Terrorizmit. Vendimi vjen pas vite të tëra përplasjesh ligjore, pasi prokuroria ishte kundër hapjes së kësaj ceshtjeje në Francë. Gjykata e apelit megjithatë vendosi tani në favor të grupeve për të drejtat e njeriut, cka u përshkrua prej këtyre të fundit një hap kyç drejt vendosjes së drejtësisë për gazetarin e vrarë.

“Krimi për të cilin Jamal Khashoggi ishte viktimë është një krim i tmerrshëm, i vendosur dhe planifikuar në nivelin më të lartë të shtetit saudite, i cili ekzekutoi një gazetar disident dhe zë të pavarur,” tha Emmanuel Daoud, avokati i RSF.

Avokati i Trial International, Henri Thulliez, shtoi se “nuk duhet të ketë më asnjë pengesë për hapjen e një hetimi gjyqësor mbi këtë krim të tmerrshëm kundër Jamal Khashoggi-t.”

Top Channel