Trump në “karantinë dixhitale” në Pekin/ Shtëpia e Bardhë kufizon telefonat për shkak të frikës nga hakerat

15/05/2026 17:59

Një nga sfidat e shumta logjistike me të cilat Presidenti Donald Trump dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë janë përballur gjatë vizitës në Pekin lidhet me sigurinë kibernetike dhe përdorimin e pajisjeve personale.

Presidentit, si të gjithë udhëtarëve në Kinë, iu është kërkuar të mos përdorin pajisje personale për të mbrojtur të dhënat nga hakerat. Ky kufizim ka sjellë vështirësi për Trumpin, i cili njihet si përdorues i shpeshtë i telefonit – duke telefonuar miq, duke komunikuar me gazetarë dhe duke postuar në rrjetet sociale.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se presidenti nuk po e përdor telefonin e tij personal gjatë qëndrimit në Kinë.

Postimet në llogarinë e tij në Truth Social janë kufizuar gjatë samitit dhe, sipas burimeve, mund të jenë menaxhuar nga Uashingtoni, ku disa anëtarë të stafit po punojnë me orar të zgjatur për të ofruar mbështetje logjistike në distancë.

Edhe stafi i administratës amerikane po përdor telefona dhe adresa email-i të posaçme gjatë vizitës dy-ditore, të cilat janë pajisje “të pastra”, të kufizuara në funksione bazë për të minimizuar rrezikun e rrjedhjes së të dhënave.

Pajisjet personale të zyrtarëve ruhen në Air Force One në çanta Faraday, të cilat bllokojnë sinjalet si GPS, Wi-Fi dhe Bluetooth, duke mbrojtur informacionin nga sulmet kibernetike. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar më herët se në Kinë “nuk pritet privatësi në rrjetet celulare apo të tjera”, duke theksuar rrezikun e lartë për sigurinë e të dhënave personale.

Sipas procedurave të sigurisë, pajisjet e ndjeshme mund të përdoren normalisht vetëm kur stafi dhe presidenti ndodhen në bordin e Air Force One, i cili konsiderohet territor amerikan dhe ka sisteme të avancuara mbrojtjeje informacioni.
Gjatë qëndrimit në Pekin, Trump ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me presidentin kinez Xi Jinping, ku janë diskutuar çështje si lufta në Iran, Tajvani, tregtia dhe teknologjia.

Dy liderët kanë marrë pjesë gjithashtu në ceremoni mirëseardhjeje, darka shtetërore dhe aktivitete protokollare, përfshirë një interpretim të këngës “YMCA” nga një grup muzikor kinez, në nder të presidentit amerikan.

Top Channel