Tragjedia në Maldive, kush ishin 5 italianët që humbën jetën teksa eksploronin shpellat nën ujë

15/05/2026 09:46

Pesë shtetas italianë humbën jetën gjatë një zhytjeje tragjike në Maldive të enjten, më 14 maj.

Ata po eksploronin shpella 50 metra të thella në Atollin Vaavu, pranë Alimathaa.

Viktimat janë: Monica Montefalcone dhe vajza e saj Giorgia Sommacal, Gianluca Benedetti, Federico Gualtieri dhe Muriel Oddenino.

Monica Montefalcone, 51 vjeç, ishte profesoreshë e asociuar e Ekologjisë në Universitetin e Gjenovës dhe një figurë e njohur në botën akademike dhe televizive italiane. Ajo i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës studimit të habitatit bregdetar të Maldiveve dhe projekteve të rëndësishme kërkimore mbi shkëmbinjtë koralorë, si Talassa, GhostNet dhe MER “A16-A18”.

Vajza e saj, Giorgia Sommacal, 23 vjeç, studente universitare, humbi jetën së bashku me nënën e saj gjatë zhytjes.

Gianluca Benedetti, me origjinë nga Padova, ishte menaxher operacionesh, instruktor zhytjeje dhe kapiten varke. Pas një karriere të gjatë në financë, ai i kushtoi pasionit të tij për zhytjen, duke e ndjekur si profesion të pjesshëm dhe më pas si aktivitet kryesor. Benedetti jetonte prej vitit 2017 në Maldive dhe e përshkruante veten si një person energjik, dashamirës të sportit, leximtari dhe dashnor të kinemasë klasike dhe shahut.

Federico Gualtieri, 31 vjeç, nga Borgomanero, kishte diplomë në Biologji dhe Ekologji Detare nga Universiteti i Xhenovës. Ai ndodhej në Maldive për një projekt kërkimor dyjavor me profesoren Monica Montefalcone, fokusuar në diversitetin dhe ekologjinë e Corallimorpharia dhe Zoantharia në atolet qendrore të Maldiveve.

Muriel Oddenino, gjithashtu 31 vjeç, nga Poirino (Torino), ishte biologe dhe ekologe detare. Ajo kishte studiuar në Universitetin e Torinos dhe më pas në Universitetin e Gjenovës, ku punoi si studiuese dhe bashkëpunëtore kërkimore. Muriel ishte bashkëautore e studimeve mbi ruajtjen e ekosistemeve detare, përfshirë botimin “Dinamika Kohore e Livadheve Posidonia Oceanica në Zonën e Mbrojtur Detare Capo Mortola”.

Top Channel