Tragjedi në Itali, çifti i sapomartuar humb jetën në aksident gjatë muajit të mjaltit

15/05/2026 10:04

Një muaj mjalti që nisi si aventurë romantike u kthye në tragjedi në provincën e Agrigentos në Itali.

Elisabeth Graham dhe Luke Alan Lionverger, të dy 24-vjeç, humbën jetën në një aksident të dhunshëm ndërsa udhëtonin me një skuter midis Sciacca dhe Ribera.

Të martuar së fundmi, çifti kishte mbërritur në Siçili pas një ndalese në Venecia dhe një qëndrimi në Palermo. Ata po vazhdonin turin e tyre në ishull me një skuter të marrë me qira kur, për arsye ende të paqarta, mjeti i tyre u përplas ballë për ballë me një makinë në një pjesë të drejtë të rrugës.

Impakti ishte fatal. Të rinjtë humbën jetën menjëherë, ndërsa makina e përfshirë në përplasje u përmbys dhe përfundoi në një ullishte pranë rrugës.

Dy pasagjerët e makinës u shpëtuan nga personeli i emergjencës dhe u dërguan në spital, me gjendje që, sipas raporteve fillestare, nuk paraqet rrezik për jetën.

Top Channel