Të shtëna mes adoleshentëve në Francë/ Vritet një 15-vjeçar, dy të mitur plagosen në Nantes

15/05/2026 16:15

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Nantes, në Francë, ku një 15-vjeçar u vra me armë zjarri dhe dy të mitur të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi që dyshohet të lidhet me trafikun e drogës.

Sipas autoriteteve franceze, të shtënat ndodhën të enjten në mbrëmje rreth orës 19:30 në një pallat apartamentesh. Sulmuesit, të cilët lëviznin me motoçikletë, hapën zjarr ndaj tre adoleshentëve dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i Nantes bëri të ditur se njëri prej të rinjve, i cili sapo kishte mbushur 15 vjeç, humbi jetën në hyrje të ndërtesës. Një tjetër adoleshent, 13 vjeç, ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një 14-vjeçar mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, autorët ndoqën një nga djemtë deri në katin e 13-të të pallatit, ku ai ishte strehuar në një apartament, duke treguar brutalitetin e sulmit. Autoritetet franceze dyshojnë se ngjarja lidhet me larje hesapesh mes grupeve të trafikut të drogës.

Top Channel