Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, u prit sot në Prishtinë dhe mbajti një fjalim të përbashkët me kryeministrin Kurti. Ajo u pyet se kur Kosova mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian meqë ka vite të caktuara që përmenden për shtetet fqinje për anëtarësim.

Kos tha se s’mund të japë një datë të caktuar, por përmendi detyrat e Kosovës që duhet të kryejë për të arritur deri te negociatat e vërteta me BE-në. Këtu ajo përmendi reformat dhe suksesin në dialogun me Serbinë.

“Sigurisht që ka vend për Kosovën në Bashkimin Europian dhe në procesin e anëtarësimit. Zakonisht ne nuk punojmë me data, por në varësi të përparimit dhe mënyrës sa më të suksesshme të mundshme. Më pas do të jemi në gjendje të fillojmë negociatat e vërteta.

Sa më e suksesshme do të jetë Kosova në zbatimin e reformave, sa më e suksesshme të jetë në dialogun Beograd-Prishtinë, më të mëdha janë shanset që të nisin negociatat. Negociatat e vërteta. Pra, kjo është pjesa politike”, tha fillimisht Kos.

Përtej aspektit politik, Kos tha se është gjithashtu e rëndësishme të ketë angazhim me shtetet anëtare.

“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka dy pjesë. Njëra janë negociatat teknike, ndërsa tjetra ka të bëjë me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë.

Prandaj nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100% i sigurt dhe do të punoj pa u lodhur drejt qëllimit për ta afruar Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian”, tha ajo.

Top Channel