Përshpejtimi i largimit të emigrantëve të paligjshëm, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet europiane me “dorë të hekurt”, çfarë planifikohet

15/05/2026 21:33

Mbretëria e Bashkuar dhe dhjetëra vende evropiane kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët që synon t’i japë shteteve më shumë kompetenca për deportimin e migrantëve të paligjshëm, duke i kërkuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të tregojë më shumë fleksibilitet në çështjet e migracionit.

Marrëveshja u prezantua gjatë një samiti në Moldavi dhe paralajmëron se demokracitë evropiane mund të përballen me rrezik nëse shtetet nuk janë në gjendje të reagojnë më efektivisht ndaj kontrabandës së njerëzve dhe presioneve migratore.

Deklarata u kërkon gjyqtarëve në Strasburg që t’u japin vendeve anëtare më shumë liri për të vendosur mbi rastet e migracionit dhe deportimit, duke marrë parasysh interesin publik dhe sigurinë kombëtare.

Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, e cilësoi marrëveshjen si një “qasje të bazuar në logjikën e shëndoshë”, duke thënë se sistemet aktuale nuk duhet të “manipulohen padrejtësisht”.

Dokumenti nuk ndryshon Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por konsiderohet një sinjal politik i fortë drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për mënyrën se si duhet të interpretohen çështjet e migracionit në të ardhmen.

BBC shkruan se deklarata është nënshkruar nga 46 vendet anëtare të Këshillit të Evropës, organizata që mbikëqyr gjykatën e Strasburgut dhe që funksionon e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Në dokument theksohet se shtetet kanë “të drejtën sovrane” për të përcaktuar politikat e tyre të emigracionit dhe për të larguar shtetas të huaj në interes të publikut.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës fokusohet tek kontrabanda e njerëzve dhe përdorimi i migracionit si mjet presioni nga aktorë armiqësorë. Sipas tekstit, kjo situatë rrezikon të minojë besimin në sistemin evropian të të drejtave të njeriut.

Deklarata mbështet gjithashtu mundësinë që vendet të krijojnë “qendra kthimi” jashtë Evropës për migrantët e refuzuar. Italia tashmë ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë për strehimin e disa migrantëve të kapur gjatë rrugës drejt territorit italian.

Mbretëria e Bashkuar po shqyrton modele të ngjashme, megjithëse deri tani nuk ka finalizuar marrëveshje konkrete.

Dokumenti trajton edhe çështjen e deportimeve në vende me standarde më të dobëta sociale apo shëndetësore. Sipas deklaratës, gjykatat nuk duhet të ndalojnë automatikisht deportimet vetëm sepse kushtet në vendin pritës janë më të dobëta se në Evropë.

Megjithatë, deklarata rithekson se ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor mbetet absolut sipas Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kritikët paralajmërojnë se formulimi i marrëveshjes mund të dobësojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe argumentojnë se gjyqtarët e Strasburgut mund të mos e marrin parasysh këtë deklaratë në vendimmarrjet e tyre.

Top Channel