“Do ngremë agjenci të posaçme për konfiskimin e pasurive të krimit”, Berisha: Vetting i plotë i të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit

15/05/2026 21:15

Kreu i demokratëve, Sali Berisha, ka folur sot për planet e PD-së rreth ndryshimeve që do të bëjnë në sistemin e drejtësisë.

“Ju garantoj se Partia Demokratike ka një platformë për t’u dhënë një përgjigje me dorë të hekurt dhe zero tolerancë. Përparësi e çdo përparësie për ne do të jetë siguria e jetës, e pronës, e veprimtarisë, e të dhënave të qytetarëve shqiptarë. Dhe ne me programin tonë, kam bindjen më të madhe se do rikthejmë Shqipërinë, do rikthejmë në Shqipëri shtetin ligjor. Do presim me gërshërët e çelikta të ligjit, të gjitha lidhjet e krimit me pushtetin. Do godasim me forcën më të rreptë të ligjit krimin, cilido qoftë ai. Me një agjenci të veçantë do hetojmë, do konfiskojmë të gjitha pasuritë e krimit. Do pastrojmë institucionet nga krimi.

Një gjë duhet ta kemi të qartë. Edhe sot pavarësisht nga shkallë shumë e lartë e inkriminimit, absolutisht në Policinë e Shtetit, përsëri ka trima, guximtarë, burra dhe gra që duan të bëjnë ligjin. Dhe unë kam besim të plotë se në qoftë se do të çliroheshin nga banditët që i komandojnë, që ndërrojnë njëri mbas tjetrit, sepse ja u caktojnë, një herë i caktojnë Tropinët, herën tjetër e caktojnë Çelajn, drejtorin e policisë, dhe që dekonspirojnë çdo operacion.

Nicola Grattieri, një nga prokurorët më të famshëm të antimafias italiane, do të thoshte se: Shqipëria është më keq se narkoshtet, sepse nuk mund të punohet. të tradhëtojnë, të shesin. I japin të dhëna. 250 e sa mandate të paarrestuar, asnjë bos nuk u arrestua, po s’u arrestuan jashtë. Po s’të arrestuan policitë jashtë, Shqipëria harroje. Ata kanë filluar të mos shkojnë më jashtë, kanë filluar të rrinë në Shqipëri tani. Dhe ju luten që mos t’i lënë këtu, të mos bëjnë mandate se ata nuk largohen. Se jashtë i kapin, këtu s’i kap kush. Kjo është e vërteta. Po kjo do marrë fund. Zero tolerancë!

Një vetting i plotë i të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit, policisë, shërbimit inteligjent, i cili edhe ai nuk qëndron më. Përkundrazi, segmente të tëra bashkëpunojnë me krimin dhe do rivendosim si prioritet absolut sigurinë e jetës, veprimtarisë të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, të shoqërisë shqiptare, do qëndrojmë fuqishëm kundër terrorizmit. Do vendosim lidhjet më solide, më luajale me të gjitha agjencitë ndërkombëtare të Euvropës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, në goditjen përfundimtare dhe në rivendosjen përfundimtare të sigurisë dhe rendit në Shqipëri”, tha Berisha.

Top Channel