Bie ndjeshëm emigracioni i paligjshëm në BE, Frontex: Tre herë më pak se në 2023-shin

15/05/2026 20:32

Fluksi i emigracionit të paligjshëm drejt Bashkimit Europian ka shënuar një rënie të ndjeshme, veçanërisht në itinerarin e Mesdheut. Të dhënat më të fundit të Agjencisë Europiane për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, për katër muajt e parë të vitit tregojnë këtë trend.

Sipas të dhënave të Frontex, nga janari deri në fund të prillit, ka pasur një rënie prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për këtë periudhë, rreth 29.000 persona hynë në BE në mënyrë të parregullt, niveli më i ulët në vitet e fundit.

Gjatë vitit 2023 ky numër ishte tre herë më i lartë. Rruga kryesore e hyrjes mbetet ajo nga Mesdheu, me pikenisje Libine dhe mbërritje në bregdetin italian.

Pas saj vjen rruga e Mesdheut Lindor, përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros. Të dyja këto rrugë përbëjnë secila afro një të tretën e të gjitha hyrjeve të parregullta në BE. Frontex thekson se rënia e hyrjeve është rezultat i bashkëpunimit me vendet partnere, veçanërisht në bregdetin e Afrikës së Veriut.

Në këmbim të fondeve të BE-së, këto vende po pengojnë largimin e emigrantëve drejt Europës dhe po godasin rrjetet e trafikantëve. Po ashtu, kushtet e vështira të motit në fillim të vitit duket se kanë penguar disa njerëz nga emigrimi i rrezikshëm.

Megjithatë humbjet e jetëve në Mesdhe mbeten të larta. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, deri tani këtë vit më shumë se 1.200 njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe.

 

Top Channel