A mund ta përfundojë ky person luftën në Ukrainë? Kyrylo Budanov, gjenerali ukrainas që fshihet pas rezistencës së Kievit, personi që Putin do ta eliminojë me çdo kusht

15/05/2026 13:23

Kyrylo Budanov, ish-kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase dhe aktualisht shef i zyrës presidenciale të Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kremlini vazhdon të tentojë eliminimin e tij edhe pse ai është negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet me Rusinë për përfundimin e luftës.

Gjenerali 40-vjeçar, i cili drejtoi shërbimin ushtarak të inteligjencës HUR nga viti 2020 deri në fillim të këtij viti, tha në një intervistë për “The Times” se kërcënimet ndaj jetës së tij janë bërë pjesë normale e punës. Sipas mediave ukrainase, Budanov ka mbijetuar të paktën dhjetë atentate gjatë viteve të fundit, ndërsa sot konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës ukrainase kundër Rusisë.

Ai njihet për drejtimin e operacioneve sekrete dhe aksioneve speciale kundër forcave ruse, përfshirë sulme në Krime dhe në territore të pushtuara nga Moska. Budanov ka marrë titullin “Hero i Ukrainës”, dekorata më e lartë ushtarake e vendit, ndërsa raportohet se gëzon marrëdhënie shumë të afërta me CIA-n amerikane.

Pavarësisht rolit të ri diplomatik, ai tha se Rusia vazhdon ta konsiderojë objektiv kryesor. Budanov u shpreh se për të rëndësi ka vetëm rezultati i negociatave dhe jo besimi ndaj palës tjetër. “Nuk kam nevojë t’i besoj askujt, duhet të arrij rezultat”, deklaroi ai, duke shtuar se ende beson se procesi diplomatik mund të çojë drejt përfundimit të luftës.

Sipas tij, eksperienca shumëvjeçare në inteligjencë po i shërben drejtpërdrejt në bisedimet me Moskën, pasi ai vazhdon të ketë kontakte dhe burime informacioni brenda Rusisë. Budanov tha se njeh mirë figurat kyçe ruse, mënyrën se si funksionon Kremlini dhe “vijat e kuqe” të negociatorëve rusë. Ai kujtoi se gjatë kohës në krye të HUR kishte ngritur rrjete komunikimi të fshehta për shkëmbimin e të burgosurve ukrainas, kanale që sipas tij po ndihmojnë edhe në negociatat aktuale.

Megjithatë, Budanov pranoi se aktualisht nuk ka një datë të re për rifillimin e bisedimeve të paqes, pasi edhe shkëmbimi i planifikuar i të burgosurve gjatë armëpushimit të Ditës së Fitores nuk u realizua.

Ai paralajmëroi se Rusia mbetet një kërcënim serioz ushtarak dhe ka aftësinë të kryejë sulme bërthamore në çdo moment. Sipas Budanov, arsenali bërthamor rus është real dhe i rrezikshëm, por aktualisht nuk ka prova konkrete që Moska po përgatit një sulm të tillë. “Nëse do të kishte shenja përgatitjeje, unë do ta dija”, u shpreh ai.

Budanov foli edhe për atentatet ndaj tij, duke konfirmuar indirekt se shumë prej tyre janë mbajtur sekret. Në vitin 2024, shërbimi ukrainas SBU njoftoi se kishte zbuluar një plan për të goditur eskortën e tij me raketa balistike, ku ishin përfshirë zyrtarë ukrainas që bashkëpunonin fshehurazi me Moskën. Sipas hetimeve, atentatorët planifikonin të përdornin edhe dronë kamikazë për të eliminuar të mbijetuarit pas sulmit.

Në një tjetër rast, bashkëshortja e tij, Marianna Budanova, dyshohet se u helmua me metale të rënda në një operacion që Ukraina ia atribuon Rusisë. Ndërsa në vitin 2019, një bombë e vendosur nën makinën e tij shpërtheu para kohe, duke plagosur rëndë agjentin rus që e kishte vendosur. Mediat ukrainase raportuan se Budanov kishte ndjekur me armë në dorë autorin tjetër të atentatit, i cili arriti të arratisej.

Në intervistë, Budanov foli gjerësisht edhe për zhvillimin e teknologjisë ushtarake ukrainase. Ai tha se lufta po hyn në një fazë të re ku dronët inteligjentë dhe sistemet autonome do të kenë rol vendimtar në fushëbetejë. Ukraina, sipas tij, ka krijuar tashmë prototipe të dronëve autonomë dhe po zgjeron me shpejtësi programet e sulmeve me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës ruse të energjisë dhe naftës.

Budanov shtoi se Ukraina po kalon gradualisht nga përfituese e ndihmës ushtarake perëndimore në eksportuese të teknologjisë dhe eksperiencës së luftës moderne. Ai tha se Kievi është i gatshëm të ndajë njohuritë e tij me aleatët, sidomos në fushën e mbrojtjes ajrore dhe luftës me dronë, duke theksuar se shumë vende perëndimore nuk janë ende të përgatitura për kërcënimet e reja ushtarake.

Ai komentoi edhe situatën e brendshme politike në Ukrainë, pas hetimeve për korrupsion që përfshinë ish-shefin e zyrës presidenciale Andriy Yermak. Budanov u distancua nga paraardhësi i tij dhe premtoi një mënyrë tjetër drejtimi, me më shumë përgjegjësi për vartësit dhe më pak kontroll të centralizuar.

Në fund, Budanov mbrojti vazhdimin e mobilizimit ushtarak në Ukrainë, duke deklaruar se vendi nuk mund të mbështetet vetëm tek vullnetarët për të përballuar një luftë të përmasave kaq të mëdha. “Po zhvillohet një luftë totale ku marrin pjesë miliona njerëz. Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe vendi do të bjerë”, deklaroi ai.

Top Channel