Stuhi vdekjeprurëse në Indi/ Mbi 100 viktima nga shirat dhe breshëri, dhjetëra të plagosur e shtëpi të shkatërruara

14/05/2026 16:34

Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje intensive shiu dhe breshër ka goditur shtetin më të populluar të Indisë, Uttar Pradesh, duke shkaktuar një bilanc tragjik me më shumë se 100 viktima.

Sipas zyrtarëve të shpëtimit, stuhia ka përfshirë disa zona të shtetit verior indian gjatë fundjavës, ndërsa autoritetet konfirmuan se të paktën 104 persona kanë humbur jetën në rreth 10 rrethe të ndryshme.

Zona më e goditur rezulton të jetë ajo përreth qytetit të Prayagraj, ku janë regjistruar dëmet më të mëdha materiale dhe numri më i lartë i viktimave. Komisioneri i ndihmës shtetërore, Hrishikesh Bhaskar Yasod, deklaroi për Reuters se dhjetëra ekipe emergjence janë angazhuar në terren për të ndihmuar banorët dhe për të larguar pasojat e stuhisë.

Autoritetet raportuan gjithashtu se 59 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa janë dëmtuar të paktën 87 banesa. Përveç dëmeve tek njerëzit dhe infrastruktura, stuhia ka shkaktuar edhe ngordhjen e 114 kafshëve.

Pamjet e transmetuara nga televizionet lokale tregojnë pemë të rrëzuara në rrugë, tabela të mëdha reklamash të shkulura nga era dhe makina të dëmtuara rëndë. Sipas zyrtarëve të emergjencave, një pjesë e viktimave humbën jetën pasi u goditën nga pemët e rrëzuara ose nga shembja e mureve të banesave.

Stuhitë e forta janë të zakonshme në Uttar Pradesh gjatë sezonit të nxehtë nga marsi deri në qershor, përpara mbërritjes së musoneve, por autoritetet thonë se intensiteti i fenomenit këtë herë ishte shumë më i lartë se zakonisht.

Kryeministri i shtetit, Yogi Adityanath, ka urdhëruar institucionet përkatëse që të ofrojnë ndihmë të menjëhershme për familjet e prekura dhe të shpërndajnë kompensimet financiare brenda 24 orëve.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për mot të paqëndrueshëm edhe në ditët në vijim.

Top Channel