Kuvendi është mbledhur në seancën e radhës plenare.
Në nisje të seancës parlamentare, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi se interpelanca me kryeministrin Rama e kërkuar me urgjencë nga deputetët e PD për ”Smart City”, nuk pranohet.
“Kam kthyer përgjigje për mospranim ndaj një kërkese urgjente për një interpelancë nga grupi parlamentar i PD. Nga shqyrtimi i saj rezulton se objekti nuk lidhet drejtpërdrejt me një veprim apo mosveprim konkret të Këshillit të Ministrave, por mbështetet në raportime mediatike, emisione investigative dhe pretendime nga palë të treta. Kërkesa nuk përmbush natyrën dhe qëllimin kushtetues. Kërkesa për interpelancë urgjente nuk pranohet“, tha Peleshi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu u shpreh se mungesa e kryeministrit Rama në sallë është është e pajustifikueshme politikisht. “Është e disata interpelancë që Edi Rama vijon të mos jetë në këtë sallë. Besoj duhet t’i kujtoni që interpelancat nuk janë çështje qejfi, ai ka detyrim të paraqitet.
Çështja që e kemi thirrur është për Smart City, nuk po diskutojmë instalimin e disa kamerave. Mungesa e kryeministrit në sallë është politikisht e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin të vijë para Kuvendit dhe të japë llogari. Kemi të bëjmë me krijimin e një ekosistemi survejimi. Sipas raportimeve, objektivi fillestar janë shkollat. Po ndërtohet një sistem monitorimi inteligjent që prek edhe të miturit. Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, po instalon një rrjet gjigant survejimi përmes një kompanie për të cilën vetë Kongresi Amerikan ka ngritur shqetësime serioze për lidhje me aparatin kinez të inteligjencës dhe survejimit. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe Rama fshihet“, tha Balliu.
Top Channel