Tmerr në Zvicër, drejtori i një klinike kardiologjie është përgjegjës për vdekjen e 70 pacientëve
BioNTech, kompania gjermane që u bë e famshme globalisht për zhvillimin e vaksinës së parë mRNA kundër COVID-19 në bashkëpunim me Pfizer, po përballet sot me një krizë të thellë financiare dhe strukturore, duke paralajmëruar mbyllje njësish prodhimi dhe shkurtime të ndjeshme të vendeve të punës.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, kompania me seli në Mainz pritet të mbyllë disa prej impianteve të saj në Gjermani dhe Singapor, pas humbjeve të mëdha tremujore dhe rënies së ndjeshme të të ardhurave nga vaksina COVID-19. Në total, rreth 1,860 vende pune janë në rrezik, ndërsa BioNTech po synon të ulë kostot dhe të ristrukturojë aktivitetin e saj global.
Kriza vjen pas përfundimit të “boom-it” pandemik, kur kompania siguroi të ardhura të mëdha nga vaksina Comirnaty. Me rënien e kërkesës në tregjet evropiane dhe amerikane, BioNTech po përballet me mbikapacitet prodhimi dhe po planifikon transferimin e një pjese të prodhimit te partneri Pfizer.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është edhe largimi i pritshëm i themeluesve të saj, Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, të cilët pritet të tërhiqen deri në fund të vitit 2026 për të ndjekur projekte të reja në fushën e bioteknologjisë.
Kompania ka investuar gjithashtu në blerje strategjike dhe zgjerim në kërkimin për trajtime kundër kancerit, por analistët paralajmërojnë se varësia nga një produkt i vetëm gjatë pandemisë ka ekspozuar dobësitë e modelit të saj të biznesit.
Ndërkohë, ristrukturimi ka shkaktuar reagime në Gjermani, ku autoritetet lokale dhe sindikatat kanë shprehur shqetësim për humbjen e vendeve të punës dhe ndikimin në sektorin bioteknologjik, duke e cilësuar mbylljen e disa njësive si një goditje për industrinë vendase.
Pavarësisht vështirësive, BioNTech ka deklaruar se fokusi i saj i ardhshëm do të jetë zhvillimi i terapive të avancuara kundër kancerit, duke synuar të kthehet në një lider inovacioni në bioteknologji përtej epokës së pandemisë.
Top Channel