“Kina nuk është dakord për militarizim në Hormuz”, Rubio: Trump dhe Xi Jinping folën për luftën me Iranin

14/05/2026 17:10

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ngriti çështjen e Iranit me presidentin kinez Xi Jinping, por “ai nuk u kërkoi asgjë”, tha të enjten Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

“Ne nuk po kërkojmë ndihmën e Kinës. Nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre”, tha Rubio në një intervistë me NBC Neës në Pekin.

“E ngritëm çështjen për ta sqaruar se cili është qëndrimi ynë dhe për ta bërë të qartë që ata ta kuptojnë, sepse është logjike. Do të flasim për këtë, duke pasur parasysh sa dominuese është kjo çështje”, tha diplomati më i lartë amerikan, duke përsëritur se qëndrimi i SHBA-së është shumë i qartë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.

I pyetur nëse Kina pajtohet me këtë qëndrim, Rubio tha se kinezët përsëritën qëndrimin e tyre të mëparshëm. Irani është nënshkrues i Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, “dhe për këtë arsye ata nuk duhet të kenë një armë bërthamore”.

“Ata e përsëritën këtë pikë përsëri sot, ndoshta jo aq me forcë sa po e them unë, por sigurisht që e kanë përsëritur këtë në të kaluarën”, tha ai. Rubio shtoi se asnjë vend nuk dëshiron ta shohë Iranin të ketë një armë bërthamore, por se SHBA-të “po përpiqen të bëjnë diçka në lidhje me këtë”.

“Mendoj se kinezët thjesht përsëritën qëndrimin e tyre në të kaluarën, që është se nuk duan t’i shohin ata të kenë një armë bërthamore. Rusët do të thoshin të njëjtën gjë”, tha ai.

Rubio tha se të dy vendet bien dakord që Ngushtica e Hormuzit nuk duhet të militarizohet, duke shtuar se, “është mirë që kemi aleancë, ose të paktën marrëveshje, për këtë pikë”.

“Ishte e rëndësishme, sepse pala kineze tha se nuk është në favor të militarizimit të Ngushticës së Hormuzit dhe nuk është në favor të një sistemi taksor, dhe ky është qëndrimi ynë”, tha ai.

Top Channel