Izraeli padit “New York Times” për artikullin mbi abuzimet seksuale ndaj palestinezëve, tensione të reja mes Tel Avivit dhe mediave amerikane

14/05/2026 17:59

Qeveria izraelite ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër gazetës amerikane The New York Times pas publikimit të një artikulli që pretendon abuzime seksuale sistematike ndaj të burgosurve palestinezë.

Sipas një deklarate të përbashkët nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Ministrit të Jashtëm Gideon Sa’ar, Izraeli do të ngrejë padi për shpifje ndaj gazetës dhe gazetarit Nicholas Kristof. Autoritetet izraelite e cilësuan artikullin si “një nga gënjeshtrat më të shtrembëruara dhe të neveritshme të publikuara ndonjëherë kundër Shtetit të Izraelit në shtypin modern”.

Artikulli, i botuar si opinion në The New York Times, bazohet në dëshmitë e 14 palestinezëve nga Bregu Perëndimor i pushtuar, të cilët pretendojnë se kanë qenë viktima të abuzimeve seksuale nga kolonë izraelitë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe roje burgjesh.

Sipas raportimit, ekziston një “model i përhapur i dhunës seksuale” ndaj burrave, grave dhe fëmijëve palestinezë. Megjithatë, gazetari thekson se nuk ka prova që udhëheqja politike izraelite të ketë urdhëruar kryerjen e këtyre akteve.

Menjëherë pas publikimit, Ministria e Jashtme izraelite reagoi ashpër duke akuzuar gazetën për pjesëmarrje në një “fushatë të organizuar gënjeshtrash” kundër Izraelit. Sipas ministrisë, artikulli mbështetet në “burime të paverifikuara të lidhura me Hamasin”.

Autoritetet izraelite pretenduan gjithashtu se data e publikimit ishte zgjedhur qëllimisht për të zbehur vëmendjen ndaj një raporti izraelit mbi dhunën seksuale të kryer nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Ndërkohë, raporti i gazetës amerikane i referohet edhe një dokumenti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në mars 2025, ku denoncohej përdorimi sistematik i dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore nga Izraeli pas nisjes së luftës në Gaza.

Gjithashtu, në shkurt, Komiteti në mbrojtje të gazetareve raportoi raste të shumta të dhunës ndaj gazetarëve palestinezë në burgjet izraelite gjatë periudhës 2023-2026. Tensionet mes Izraelit dhe mediave ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ofensiva ushtarake izraelite në Rripin e Gazes.

Top Channel