SHBA i jep dritën jeshile Kosovës, 14 mln euro armatime. DASH njofton Kongresin Përpjekja e kongresmenit republikan Keith Self për të kushtëzuar ndihmën ushtarake ndaj Greqisë me qëllimin që të njohë Kosovën, nuk gjeti mbështetje në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Më herët, Self propozoi ndërprerjen e 1.8 milion dollarëve për trajnime ushtarake ndërkombëtare për Greqinë, duke argumentuar se mosnjohja e Kosovës nga Athina pengon stabilitetin në Ballkan dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s. Amendamenti i tij u kundërshtua nga kongresmenet demokratë Gregory Meeks dhe Dina Titus, si dhe nga kryesuesi republikan Brian Mast, të cilët argumentuan se çështja e Kosovës duhet të trajtohet veçmas dhe se projektligji për ndihmën ndaj Greqisë ka një bazë dypartiake të konsoliduar. Self theksoi se Kosova ka treguar përkushtim ndaj qeverisjes demokratike dhe bashkëjetesës shumetnike, dhe se anëtarësimi në NATO do të forconte stabilitetin rajonal dhe do të vepronte si kundërpeshë ndaj ndikimit rus.
“Teksa ekzistojnë përpjekje të fuqishme të përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë, ajo mbetet në listën e shkurtër të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë ta njohin sovranitetin e Kosovës. Këta partnerë të NATO-s i bashkohen Kinës, Rusisë dhe Serbisë në refuzimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës, një partnere e ngushtë që kundërshtarët tanë refuzojnë ta njohin, sepse e dinë se Kosova është shtyllë kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Keith Self, kongremen republikan.
Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë tri shtetet e tjera anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Self, së bashku me Torresin dhe kongresmenin republikan Mike Lawler, paraqitën në fund të prillit një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve, përmes së cilës kërkohet që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ekspertët thonë se rezoluta në vetvete është një “sinjal i fortë politik”, sepse e afron Kosovën më shumë me NATO-n në rrafshin strategjik. Rezoluta është mirëpritur nga zyrtarë në Prishtinë, por është kundërshtuar nga Serbia.
Ndërkohë, mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e pranisë amerikane në KFOR ka shprehur edhe kongresmeni demokrat Ritchie Torres. Së bashku me Self dhe republikanin Mike Laëler, ai paraqiti një rezolutë për mbështetjen e Kosovës në NATO dhe një tjetër për ruajtjen e trupave amerikane në misionin paqeruajtës KFOR, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 ushtarë amerikanë. Rezolutat janë konsideruar si sinjale të forta politike që i afrojnë Kosovën më shumë me aleancën dhe mbyllin boshllëqet strategjike në Ballkan, por janë kundërshtuar nga Serbia.
Top Channel