Zjarr masiv në një fabrikë me lëndë djegëse në Turqi/ Humb jetën punëtori 47-vjeçar, ra nga lartësia pas shpërthimit të flakëve

13/05/2026 17:39

Një person ka humbur jetën pas një zjarri të madh që shpërtheu në një fabrikë me lëndë djegëse biozel në Mersin, në jug të Turqisë.

Sipas mediave turke, zjarri nisi për shkaqe ende të panjohura në ambientet e një kompanie të mbushjes së karburantit në zonën Kazanli, në distriktin Akdeniz. Pas shpërthimit fillestar, flakët përfshinë edhe rezervuarët e karburantit, duke shkaktuar panik në zonë.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiell dhe janë të dukshme nga kilometra larg.

Nga incidenti mbeti i plagosur rëndë një punëtor 47-vjeçar, i cili ra nga një lartësi prej rreth 20 metrash gjatë shpërthimit. Ai u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Fillimisht, ndërhyrja për shuarjen e flakëve u bë nga ekipet e sigurisë së fabrikës, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën forca të shumta zjarrfikëse.

Autoritetet bënë të ditur se cisternat e karburantit u larguan nga zona për arsye sigurie dhe disa pjesë të objektit u evakuuan. Operacioni për neutralizimin e plotë të zjarrit vijon ende.

Sipas burimeve lokale, puna e zjarrfikësve është vështirësuar nga prania e materialeve shumë të ndezshme në rezervuarët e naftës. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit.

Top Channel