Siguria në Hormuz, Australia gati t’i bashkohet misionit të propozuar nga Franca dhe Britania

13/05/2026 09:45

Australia ka njoftuar se është gati t’i bashkohet një misioni “neutral dhe paqësor” të propozuar nga Franca dhe Britania për të siguruar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të tregtisë globale të naftës.

]Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, deklaroi se Kanberra është e gatshme të mbështesë një mision ushtarak shumëkombësh, me karakter strikt mbrojtës, të udhëhequr nga Londra dhe Parisi.

Si pjesë e kontributit të saj, Australia do të vendosë në dispozicion një avion mbikëqyrës E-7A Wedgetail, i cili tashmë ndodhet në rajon për të ndihmuar në mbrojtjen e Emirateve të Bashkuara Arabe nga sulmet me dronë iranianë.

Misioni, sipas autoriteteve australiane, do të ketë për qëllim të forcojë sigurinë detare dhe të mbështesë përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në rajon, duke garantuar njëkohësisht lëvizjen e lirë të tregtisë ndërkombëtare.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar një iniciativë në OKB për krijimin e një kornize ndërkombëtare për këtë mision, i cili pritet të aktivizohet në koordinim me negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për heqjen e sanksioneve dhe uljen e tensioneve.

Top Channel