Inside Story/ “Minerali i së tashmes dhe së ardhmes”, Shqipëria disponon rezerva të shumta litiumi por…

13/05/2026 22:05

Pasi zbërthyem në tërësi hartën e mineraleve shqiptare, tani do të fokusohemi tek një element që mund të jetë çelës i interesave strategjikë dhe gjeopolitikë për vendin.

Litiumi, një nga elementët më të kërkuar sot në botë, është identifikuar së fundmi në jug të Shqipërisë, në zonën Zhulat-Picar. Edhe pse në fazë fillestare, ky zbulim mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen minerare të vendit.

“Në vitin 2021, mbi bazën e kërkesave që i shtoheshin Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, u ndërmor një projekt në një periudhë 2021–2024 për kërkimin në Shqipëri të tokave të rralla dhe litiumit”, u shpreh Dashamir Gega, gjeolog.

“Mbi bazën e përhapjes së shkëmbinjve që përmbajnë toka të rralla dhe litium u përcaktua se ku duhet kërkuar litiumi dhe në përparësi u caktuan boksitet dhe argjilat boksitike, të cilat shtrihen nga jugu, nga Korça, nga zona e Bilishtit, Mali i Thatë, vazhdojnë në Mokër, vazhdojnë në Dardhë të Librazhdit duke shkuar deri në Çermenikë afër Bulqizës”, u shpreh gjeologu.

Këto kërkime nxorën në pah disa të dhëna të rëndësishme duke përcaktuar vendburime edhe të këtyre elementeve, të cilët në të shkuarën nuk konsideroheshin aq të rëndësishëm sa sot. Këto të dhëna treguan se është i domosdoshëm vijimi i kërkimit të litiumit.

“Këto boksitet dhe argjilat boksitike kanë përhapje të konsiderueshme, mbushin gropat karstike në shkëmbinjtë gëlqerorë… shfrytëzohen në sipërfaqe, kanë rezerva të konsiderueshme krahas mineralit të litiumit, ku këtu ka dalë deri në 300–400 gram për ton, janë takuar edhe elemente të tokave të rralla”, shprehet Dashamir Gega.

“Ky është objekt prioritar për vazhdimësinë e kërkimit të litiumit dhe tokave të rralla në këtë zonë”, thotë gjeologu.

Elementët e tokave të rralla janë identifikuar në disa zona të Shqipërisë, nga Nimça deri në Devoll. Edhe pse përqindjet janë të ulëta, këto elemente janë ndër më të kërkuarat në botë për industrinë e teknologjisë dhe energjisë së pastër. Në Nimçë ka pasur edhe uranium, siç kemi zbuluar në hulumtimet e mëhershme, por këto galeri qëndrojnë të mbyllura prej kohës së komunizmit.

“Shkëmbinjtë magmatikë metamorfikë të zonës së Gashit dhe zonës së Korabit janë formacione interesante ku ekziston mundësia për të gjetur mineralizim të tokave të rralla”, u shpreh Ibrahim Milushi, inxhinier gjeolog.

“Për litiumin mund të them që ne kemi formacione gjeologjike që ofrojnë mundësi shumë të mira për zbulimin e rezervave të konsiderueshme të këtij lloj mineralizimi”, thotë inxhinieri gjeolog.

Një tjetër horizont për kërkimin e litiumit dhe tokave të rralla u hap në rreshpat e zeza të cilat takohen në Korab, Fushë-Studën, në zonën e Llanës në Librazhd, vazhdojnë në Dibër, Tropojë dhe kanë një përhapje të konsiderueshme në Shqipëri.

“Trashësia e rreshpave të zeza shkon deri në 1 km. Këto janë të ngopura me sulfur, por janë të pasura me toka të rralla edhe me minerale të litiumit, mbetet objekt për të vijuar kërkim-zbulimin në të ardhmen”, u shpreh Dashamir Gega, gjeolog.

“Janë edhe zonat konglomerate ofiolitike që në Shqipëri janë me shumicë, takohen nga jugu i Shqipërisë deri në veri. Në këtë horizont mineralmbajtës që takohen tokat e rralla kemi edhe sulfure, kemi edhe mineralin e litiumit”, thotë gjeologu Dashamir Gega.

‘Argjilat boksitike dhe argjilat boksitike, rreshpet e zeza me sulfur, konglomeratet ofiolitike, këta janë në sipërfaqe. Pra nesër nëse do të vihen në përdorim do të shfrytëzohen në sipërfaqe ku kostoja e shfrytëzimit do të jetë e ulët’, u shpreh Dashamir Gega, gjeolog.

Kur flasim për litiumin duhet të sjellim në vëmendje se në të shkuarën nuk ka pasur të njëjtën rëndësi që ka sot në industri. Kjo është arsyeja pse studimet për të janë të pakta. Megjithatë, kërkimet e ndërmarra vonë, pas vitit 2020, kanë nxjerrë në pah të dhëna optimiste.

“Minerali i litiumit nuk është trajtuar deri në këtë kohë, në 2021 kemi filluar ta kërkojmë mineralin e litiumit. Sot ka ardhur koha që ne duhet të bëjmë një shfrytëzim kompleks”, thotë ai.

“Një formacion shkëmbor ku ne kërkojmë tokat e rralla aty ka edhe mineralin e litiumit, aty ka edhe minerale të tjera, pra vlerësimi kompleks dhe shfrytëzimi kompleks rrit interesin ekonomik të këtyre vendburimeve natyrore”, u shpreh Dashamir Gega, gjeolog.

“Ne duhet të bëjmë përpunimin në vend të mineraleve, pra të mundohemi që këtë pasuri që kemi ne këtu ta përpunojmë sa më afër lëndës së parë sepse ulim koston”, përfundoi gjeologu.

Top Channel