BE, buxhet rekord prej 2 trilionë eurosh/ Formula e re nuk favorizon të gjithë

13/05/2026 13:03

Bashkimi Europian ka hyrë në një fazë të rëndësishme negociatash për buxhetin e ardhshëm afatgjatë, të njohur si Korniza Financiare Shumëvjeçare (MFF) për periudhën 2028-2034.

Debati po zhvillohet mes prioriteteve të reja të sigurisë, mbështetjes ekonomike dhe presionit për disiplinë fiskale në shtetet anëtare. Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet prej 1.8 trilionë eurosh, ndërsa Parlamenti Evropian kërkon një paketë më ambicioze prej 1.96 trilionë eurosh.

Diferenca prej rreth 175 miliardë eurosh pasqyron përplasjen mbi mënyrën se si duhet të financohen prioritetet strategjike të unionit në vitet e ardhshme. Një nga sektorët që fiton më shumë nga drafti i ri është mbrojtja. Sipas propozimit aktual, rreth 131 miliardë euro do të ndahen për mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë hapësinore, pesë herë më shumë krahasuar me buxhetin aktual shumëvjeçar.

Zyrtarët evropianë argumentojnë se rritja lidhet drejtpërdrejt me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe me pasiguritë në lidhje me garancitë afatgjata të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fokus të veçantë është mobiliteti ushtarak, apo aftësia për të transportuar shpejt trupa dhe pajisje ushtarake në territorin evropian. Financimi për këtë sektor pritet të rritet dhjetëfish, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe portuale që mund të përdoret edhe për operacione mbrojtëse.

Megjithatë, rritja e shpenzimeve për sigurinë po shkakton shqetësime për ulje fondesh në sektorë të tjerë. Sipas formulës së re të shpërndarjes, vende si Çekia, Sllovenia dhe Portugalia pritet të marrin më pak financime nga fondet e kohezionit, teksa të ashtuquajturat vende “kursimtare”, Gjermania, Holanda, Suedia dhe Austria, kërkojnë një buxhet më të kufizuar dhe kundërshtojnë zgjerimin e borxhit të përbashkët europian.

Top Channel