U përplas me Trump për shitjen e cigareve elektronike, presidenti amerikan shkarkon nga detyra komisionerin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave

12/05/2026 20:00

Komisioneri i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), Marty Makary, pritet të largohet nga administrata e Donald Trump, pasi presidenti amerikan ka miratuar planin për shkarkimin e tij, raportojnë mediat amerikane, duke cituar burime të njohura me situatën.

Sipas raportimeve, Makary ishte vënë prej kohësh nën presion të vazhdueshëm si nga brenda administratës, ashtu edhe nga grupe të jashtme interesi. Një nga përplasjet kryesore lidhej me qëndrimin e tij kundër miratimit të shitjes së cigareve elektronike me aromë, çështje që thuhet se e çoi Trumpin në një përballje të drejtpërdrejtë me të.

Ai u përball gjithashtu me kritika nga industria farmaceutike dhe grupet kundër abortit, ndërsa gjatë drejtimit të tij FDA-së u karakterizua nga ndryshime të shpeshta në nivelet e larta drejtuese dhe përplasje të brendshme.

Largimi i Makary-t krijon një tjetër vakancë në strukturat drejtuese të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. Aktualisht, administrata amerikane nuk ka ende drejtues të përhershëm në krye të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), si dhe në postin e kirurgut të përgjithshëm.

Dorëheqja e tij vjen vetëm një ditë para se Makary të dëshmonte para Komitetit të Buxhetit të Senatit lidhur me buxhetin e propozuar të FDA-së.

Sipas raportimeve të Politico, përpjekjet për largimin e tij u intensifikuan ditët e fundit nga një grup zyrtarësh të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shëndetësisë, të cilët ishin të pakënaqur me drejtimin e agjencisë dhe konfuzionin në politikat e saj.

Megjithatë, disa këshilltarë të Trumpit kishin argumentuar se shkarkimi i një zyrtari të lartë të shëndetësisë mund të sillte pasoja politike, veçanërisht duke zemëruar mbështetësit e lëvizjes “Make America Healthy Again”, e lidhur me sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr..

Një nga çështjet që përshpejtoi tensionet ishte refuzimi i Makary-t për të miratuar cigaret elektronike me aromë frutash. Sipas burimeve, Trump ushtroi personalisht presion ndaj tij për këtë çështje, ndërsa FDA ndryshoi më vonë qëndrim lidhur me produktet në fjalë.

Një tjetër përplasje lidhej me debatin për pilulën abortive mifepristone. Aktivistët kundër abortit i kërkuan administratës që FDA të anulonte rregullat që lejojnë dërgimin me postë të ilaçit, i cili përdoret gjerësisht për abortet medikamentoze në SHBA.

Presidentja e organizatës kundër abortit “Susan B. Anthony Pro-Life America”, Marjorie Dannenfelser, kishte kërkuar publikisht shkarkimin e Makary-t, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj kërkesave të lëvizjes anti-abort.

Makary, kirurg dhe autor, ishte zotuar pas emërimit të tij në vitin 2025 se do të përshpejtonte proceset e miratimit të ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe vaksinave. Megjithatë, gjatë mandatit të tij ai u përball me kritika të vazhdueshme si nga kompanitë farmaceutike, ashtu edhe nga kritikët e vaksinave dhe grupet konservatore sociale.

Top Channel